Nga Armand Shkullaku
Një oficere e policisë së shtetit, bionde dhe me zë të ëmbël, u shfaq në një deklaratë për mediat me gjysmën e fytyrës së mbuluar nga një palë syze dielli, për t’u komunikuar shqiptarëve se Operacioni Forca e Ligjit sapo i kishte shpallur luftë Lul Berishës dhe Ardian Çapes. Në atmosferën e filmave të fundit, ku mpleksen si personazhe, politikanë të lartë dhe figura të njohura të showbizit, shfaqja e vajzës bionde dhe gjysëm të maksuar, dukej si skenë e nxjerrë pikërisht nga punishtja filmike e Ermal Mamaqit.
Të gjithë bujën e zhurmën e anti KÇK së famshme, nuk mund ta përkufizonte më mirë se asgjë tjetër, komedia e zyrtares me uniformë të shtetit shqiptar që del e maskuar për t’i folur publikut. Sepse në thelb, aksioni më i fundit i kryeministrit, që “frymëzohet nga dashuria për vendin”, nuk është gjë tjetër veçse akti pasues në teatrin e tij të propagandës. Muzika e përzgjedhur për të ilustruar aksionet e para të OFL, kamerat e fokusuara tek këto iniciale mbi uniformat e policëve (për të evokuar ato të FBI në filmat e Holliwoodit), montazhi me efekte speciale dhe figura e bjondes gjysëm të maskuar për t’u transemtuar gjëmën kriminelëve, tregojnë kujdesin e regjisorit- kryeministër (me raste edhe aktor) për të shitur filmin mediokër të radhës.
Ky film absurd, që u konceptua si një akt normativ emergjence, me nevojën për t’iu shitur publikut si një kauzë e re, si një betejë epike e atyre që e duan vendin kundër frontit të së keqes, që në skenën e parë e shndërroi në butafuri ngrefosjen e OFL. Trupat elitarë vunë nën sekuestro një pronë që ishte nën sekuestro që prej vitit 2015.
Për ligjin e famshëm anti KÇK, që u propagandua si aksion kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që po nxjerrin çdo ditë banditë nga burgu dhe përfundoi tek makinat e këtyre të fundit, është diskutuar shumë këto ditë. Që nga antikushtetushmëria e tij, dublimi i ligjit anti mafia që qeveria Rama nuk e aplikoi thuajse kurrë, rreziku i përdorimit selektiv e deri tek ndikimi negativ që mund të ketë mbi institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar. I gjithë ky diskutim, edhe i atyre që e kundërshtojnë ligjin, edhe i atyre që kanë vetëm disa rezerva për të, ngrihet mbi premisën sikur vullneti i kryeministrit për të luftuar krimin nuk vihet në dyshim, por forma e zgjedhur prej tij nuk është ajo e duhura.
Në fakt, gjithë ky film me uniforma OFL dhe çupa me syze të errëta, nuk është gjë tjetër veçse strategjia e njohur e Edi Ramës për të shpikur një sfidë, një armik të ri pasi nuk ka bërë asgjë me betejat e shpallura më parë. Sa herë ka ndonjë fushatë elektorale përpara, sa herë bie në sondazhe, sa herë gjendet ia pafuqishëm në paaftësinë e tij për të qeverisur e kryer punë konkrete për të cilat është votuar, Edi Rama thërret në ndihmë armikun e radhës. E ka bërë këtë në fillim të 2013 kur mori flamurin e luftës kundër drejtësisë së korruptuar, pastaj e vijoi me linçimet në publik të zyrtarëve të administratës, “viktima” të fushatës populiste të bashkëqeverisjes me popullin, shpalli armike LSI dhe kërkoi timonin vetëm për vete, iu turr opozitës si tradhëtarja që la vendin pa negociata me BE, nisi betejën e shpifur me mediat që i cilësoi si kazanin që nxinte figurën e tij të ndritur dhe tani vendosi të sajojë KÇK-në meqënëse nuk i kishte mbetur gjë tjetër për të kapur.
Mirëpo strategjitë që predikojnë rritjen e pikëve në opinion, nuk kanë parashikuar dot se si kjo mund të bëhet vazhdimisht kur nuk arrin të prodhosh asgjë konkrete. Ato mund të funskionojnë në raste të veçanta, kur një qeveri apo lider ka një bilanc suksesesh dhe në një moment rrëshqitje apo humbje besimi, i duhet një gjetje politike për t’u ringritur. Strategët që mund të garantojnë ringritjen nga boshi në bosh, apo nga dështimi në dështim, ende nuk ekzistojnë.
Prandaj fushatat e Edi Ramës ngjisin gjithnjë e më pak dhe prandaj edhe ata që i mbështesin ato në publik u ngjajnë gjithnjë e më shumë limonave të shrydhur. Shumëkush e mban mend euforinë e këtyre të fundit në ditët e para pas tërmetit. Kryeministri po fiton pikë, daljet e tij në tv e ertv po e bëjnë popullor, ai i mori terrenin opozitës, po ngrihet në sondazhe, ka rigjetur forcë dhe energji, e plot pallavra të tjera. Mirëpo punët konkrete nuk i bëjnë as ertv, as qokat me veladon të zi dhe as daja te Ermal Mamaqi.
Tani kryeministri ka nxjerrë fabulën e re me emrin KÇK. Ndonëse më të pakët, përsëri ata që kullosin në livadhin e tij mediatik, ia kanë nisur refrenit: qeveria po i shpall luftë të vërtetë krimit, Edi Rama po merr vëmendjen e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, opozita u kap e papërgatitur, etj, etj.
Mirëpo, të gjithë këta nuk duan të shohin osë bëjnë sikur nuk e shohin të gjithë filmin 7 vjeçar të një kryeministri butaforik. Ata nuk e shtrojnë asnjëherë pyetjen se çfarë ndodhi një natë janari e një ditë shkurti, që njeriu që e lidhi më shumë se kushdo tjetër krimin me politikën vendosi ta luftojë atë. Ata përcjellin pamjet e skenës së xhiruar me muzikë e efekte të sekuestrimit të një hoteli në Shijak, por nuk pyesin se si u lirua dy vjet më parë pronari i tij vetëm pak orë pas arrestimit dhe kur kryeministër ishte Edi Rama dhe ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri. Raste të tilla ka pafund, por pyetjet mbi to nuk mund t’i bëjnë ata që kanë pranuar rolet në teatrin e shpifur të Edi Ramës.
Sepse nëse do t’i bënin, atëherë do të mbërrinin tek thelbi i kriminalizimit të vendit dhe politikës. Tek futja e kriminelëve në politikë, tek ministrat e përfshirë në trafik droge e blerje votash, tek kryetarët e bashkive që po bien një e nga një, tek lista e zezë e SHBA, tek bisnesmenët që hynë në politikë falë korrupsionit, tek drejtuesit e lartë të shtetit që kanë pasuri marramendëse e aksione të fshehura në kompani private, tek vetë njeriu që sot thotë se do t’i shpëtojë shqiptarët.
Për ta bërë të besuar filmin e tij të radhës, kryeministri akuzoi sot opozitën dhe gazetarët se “për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave të tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin”. Problemi është çfarë duhet të zgjedhim kur qeveria është e lidhur me krimin. /lapsi.al