Këtë të enjte në GJKKO po zhvillohet gjyqi për vrasjen e Santiago Malkos, ku i pranishëm për herë të dytë është edhe autori i dyshuar, Leonard Duka. 

Leonard Duka iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Posaçëm, ku mësohet se ka deklaruar se ditën e ngjarjes, më 27 gusht 2019 ka qenë te biznesi i tij dhe rrugës për në shtëpi, e shoqëroi policia dhe aty mësoi për vrasjen e ish-policit. 

“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokal te biznesi im, në orën 10 mbylla lokalin, duke ikur për në shtëpi më shoqëroi policia. Si çdo ditë tjetër kemi ngrëne drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë policia dhe shkuam në polici. Ku e dija unë kush kishte vdekur, aty e mora vesh”-ka deklaruar ai. 

Gjatë seancës, Duka ka folur edhe për lidhjen e tij me Santiago Malkon, ku pretendon se kanë pasur shoqëri të përbashkët. 

“Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin, kemi pasur shoqëri të përbashkët. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive më shpallën në kërkim. Nuk e di pse jam këtu.15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. 

Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me u njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër. Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri tjetrin”-tregoi ai. 

Duke iu rikthyer edhe njëherë ditës së ngjarjes, ai rrëfen: 

“Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim. Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj”,-ka treguar Duka.