· Komisioni Evropian ka konfirmuar synimin e vet për të përdorur deri në 1 miliard euro nga Instrumenti i ri për Asistencën e Para-Anëtarësimit për investime në infrastrukturë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2014-2020
· Fondet e BE-së si dhe fondet nga institucionet financiare synojnë të nxisin kapitalin privat të mund të financohen të paktën 10 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor, duke pasur si objektiv prioritetet kyçe të vendeve përfituese
· Ndër projektet madhore rajonale mund të përmenden Korridori X (autostrada dhe hekurudha Zagreb-Athinë), Korridori VIII hekurudhor nga portet e Detit të Zi të Burgasit dhe Varnës në Bullgari në portet e Detit Adriatik të Vlorës dhe Durrësit në Shqipëri, gazsjellësi Trans-Adriatik që lidh Greqinë me Italinë dhe gazsjellësi Jonian-Adriatik që kalon përgjatë bregdetit Adriatik nga Shqipëria në Kroaci
DURRËS, 9 maj 2014 – Financime evropiane për korridorin e 8-të hekurudhor Bullgari-Durrës, sesioni i dytë i konferencës ministrore “BE-Ballkani Perëndimor”, nën kujdesin e Presidencës greke të Këshillit të BE-së, më 8 maj 2014, që u zhvillua në Selanik, u fokusua në çështjen e transportit dhe lidhjes energjetike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe në rajon.
Sipas deklaratës për shtyp të ministrisë së Jashtme të Greqisë, vëmendje veçantë iu kushtua veprimtarisë së përbashkët dhe bashkëpunimit në BE, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për Traktatin e Komunitetit të Transportit.
Po ashtu ata shkëmbyen pikëpamje mbi rolin e nismave rajonale, organizatat rajonale dhe për mekanizmat për përmirësimin e bashkërendimit të mbështetjes financiare të rajonit; ata gjithashtu theksuan rëndësinë e infrastrukturës rajonale për sigurimin e lidhjes brenda rajonit dhe me pjesën tjetër të BE-së.
Prezantimi i gjendjes aktuale në fushat e transportit dhe energjisë ofroi mundësinë për shkëmbim të plotë dhe të hollësishëm të informacionit mbi nevojat e sektorëve, në aspektin e projekteve dhe fondeve në dispozicion ose potenciale.
Ndërsa duke njohur sfidat që janë përpara, pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë, koordinimit tq strategjive të investimeve dhe të prioriteteve të përbashkëta meqë ka shqetësime sa u përket transportit dhe projekteve të infrastrukturës energjetike në rajon.
Komisioni Evropian ka konfirmuar synimin e vet për të përdorur deri në 1 miliard euro nga Instrumenti i ri për Asistencën e Para-Anëtarësimit për investime në infrastrukturë në gjashtë përfitues në rajonin e Ballkanit Perëndimor për periudhën e programimit 2014-2020.
Fondet e BE-së si dhe fondet nga institucionet financiare synojnë të nxisin kapitalin privat të mund të financohen të paktën 10 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor, duke pasur si objektiv prioritetet kyçe të vendeve përfituese.
Ndër projektet madhore rajonale mund të përmenden Korridori X (autostrada dhe hekurudha Zagreb-Athinë), Korridori VIII hekurudhor nga portet e Detit të Zi të Burgasit dhe Varnës në Bullgari në portet e Detit Adriatik të Vlorës dhe Durrësit në Shqipëri, gazsjellësi Trans-Adriatik që lidh Greqinë me Italinë dhe gazsjellësi Jonian-Adriatik që kalon përgjatë bregdetit Adriatik nga Shqipëria në Kroaci.
Info
Nën kujdesin e Presidencës greke të Këshillit të BE-së, më 8 maj 2014 u zhvillua në Selanik Konferenca Ministrore “BE-Ballkani Perëndimor”, ku mori pjesë dhe shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati.
Konferenca rikonfirmoi mbështetjen e vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos, Komisoneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, si dhe pjesëmarrës të tjerë, ndanë mendimin se politika e zgjerimit të BE-së nuk është pjesë e problemeve, me të cilat përballen vendet anëtare, por pjesë e zgjidhjes së tyre.
Kjo politikë e ka mbajtur Evropën të sigurt dhe në paqe, ka transformuar e modernizuar vendet ish-komuniste, duke u dhënë qytetarëve të tyre paqe, liri dhe prosperitet.
Folësit në Konferencë vlerësuan përparimin e bërë në agjendën evropiane të secilit vend të Ballkanit Perëndimor dhe analizuan sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit për sa i përket sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Të pranishmit shprehën vlerësimin se, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të kenë një perspektivë të qartë evropiane.
Por pavarësisht nga arritjet, pjesëmarrësit në Konferencë e konsideruan të rëndësishme gjetjen e rrugëve dhe mënyrave të reja për të nxitur më tej agjendën evropiane të rajonit dhe për të konkretizuar impaktin e saj në jetën e banorëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo agjendë integrimi duhet pasuruar me projekte të mbështetura nga BE-ja dhe investitorë privatë.
Në këtë pikë, theksi u vu në jetësimin e projekteve me impakt rajonal, si korridoret 8 dhe 10, projektet TAP dhe IAP, njofton ministria shqiptare e Punëve të Jashtme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





