3 nëntor 2015 – Arrestohet në flagrancë një 46-vjeçar nga fshati Krrabë, pasi tentoi të korruptonte një prokurore duke i dhënë ryshfet në zyrën e saj.
Sipas policisë së Elbasanit, Gëzim Peçi është paraqitur ditën e djeshme (2 nëntor) pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në zyrën e prokurores A.XH., për t’i dorëzuar një certifikatë familjare dhe një vërtetim KMCAP, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr. 1892 të vitit 2015 për nënën e tij, shtetasen Z.P.
Më pas Peçi i ka thënë prokurores se kishte një porosi nga nëna e tij dhe ka nxjerrë një shumë parash prej 36 000 lekësh për t’ia dhënë prokurores. Kjo e fundit ka njoftuar menjëherë policinë, që ka bërë arrestimin e tij në flagrancë. 46-vjeçari akuzohet për “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
/S.L. portali DurresLajm/