Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një dalje për mediat këtë të premte ka deklaruar se në zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të zhvillohen në 6 Mars, mund të regjistrohen t gjitha partitë që plotësojnë kushtet sipas ligjit.

I pyetur nga mediat se kë njeh si kryetar të Partisë Demokratike zyrtarisht, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë për shkak se nuk janë dorëzuar ende në KQZ dokumentet për regjistrim nga partitë politike.

“Partia politike që kërkon të regjistrohet si subjekt duhet të paraqesë një sërë dokumentesh edhe një vërtetim nga gjykata e rrethit gjyqësor që ka të bëjë me të dhënat e partisë politike, organet drejtuese për të mbajtur me një palë të tretë sic është KQZ. Nuk është një çështje jonë por e përcaktuar mirë nga ligji nga pikëpamja rregullave. Kur do të fillojë regjistrimi i partive politike ju do të merrni dijeni për partinë politike që regjistrohet dhe për përfaqësuesit dhe kandidatët që regjistrohen”, tha Celibashi.