Nga Andi Bushati
6 tetor 2015 – Pas zbehjes së betejës për skandalin CEZ, Ilir Meta me gjasë ka ndryshuar strategji duke u hedhur nga mbrojtja në sulm. Synimi i tij i ri nuk është të hiqet si i papërlyer, por të tregojë se të gjithë janë njësoj pis. Deklaratat e djeshme se qeverisja kërkon impulse të reja, kërkesa për ndryshime ministrash, çudia se si gazetarët nuk e kuptonin nevojën e një faqeje të re dhe lënia e përgjegjësisë mbi kryeministrin Rama për moskuptimin e kësaj situate, e kanë shpalosur hapur qëllimin e Metës. Pa vënë gishtin drejtpërdrejt te Rama, Ilir Meta ka lënë edhe njëherë të kuptohet se së paku një pjesë e qeverisjes së tij ka dështuar. Dhe e ka bërë këtë vetëm disa orë pasi kryeministri (sipas mediave të majta) u tha deputetëve të tij se nuk do të ketë ndryshime në kabinet.
Por çfarë ka ndryshuar tek Ilir Meta? Ç’ka ndodhur që ai nuk luan më pjesën e politikanit të frikësuar nga dëshmia e Kastriot Ismailajt në burg? Ç’ka ngjarë që ai nuk po bën më rolin e viktimës ndaj të cilit po luhej një komplot me shumë aktorë (Rama, Basha, Lu, Prifti, Doshi të mbështetur nga TV Klan, analistë dhe oigarkë) që kërkonin kokën e tij? Ç’ka ndryshuar në pak ditë aq sa edhe Spartak Braho të deklaronte se rreziku i destabilizimit të shtetit ka rënë?
Në fakt në pamje të parë asgjë nuk ka ndryshuar. Ilir Meta është po i njëjti që ka lobuar pro Ismailajt, njeriut që kërcënon t’i marë shtetit shqiptar 130 milionë euro. Dhe deri këtu “krimi” i tij është vetëm moral. Pa dalë gjë më tepër nga dëshmitë e ish-shefit të burgosur të DIA-s nga Saimir Tahiri dhe nga avokatët ndërkombëtarë që ka mbikëqyrur Damian Gjiknuri, Meta mund ta bëjë gjumin të qetë. Një njollë më shumë, një njollë më pak, as nuk ngre as nuk ul në të ardhmen e tij politike.
Por ajo që është tjetërsuar ka të bëjë me ndryshimin radikal të palëve të tjera të përfshira në këtë lojë. Pas frikës se hapja e dosjes CEZ prekte edhe Berishën, zyrtarët e tij të lartë dhe klientët e qeverisë së tij, PD-ja i ka ulur ndjeshëm tonet. Opozita e kaloi thuajse në heshtje mungesën e votave të ish-kryeministrit dhe të tre prej ministrave të tij (Pollo, Mediu, Tafaj) për të kaluar hetimin ndërkombëtar. Ajo ka frikë se njerëzit e saj rezultojnë gjithashtu të kapur nga skandali i CEZ, prandaj po tërhiqet kokëulur prej tij.
Edhe socialistët e kanë braktisur rolin e atij që fërkon duart dhe bën sehir kur linçohet vëllai i tij armik. Rama u vu në alarm nga shtimi i sulmeve të Metës, ai kërkoi ta qetësojë nga Neë York-u, shpalli mosvotimin e hetimit ndërkombëtar dhe përsëriti edhe njëherë se nuk e kish shitur aleatin e tij te mediat dhe ndërkombëtarët. I frikësuar nga kërcënimi i prishjes së koalicionit, Rama zgjodhi rrugën e zvarrisjes pavarësisht nga çmimi.
Natyrisht si një kafshë e vërtetë politike, Meta i nuhati lëvizjet e aktorëve të tjerë, ngërçin e tyre dhe ndryshoi strategji. Pasi mbaroi punë shpejt me një opozitë të kapur nga e shkuara e saj (të cilën idiotësisht në PD vazhdojnë ta ruajnë si thesar) ai u hodh në fazën e dytë: shantazhimin e Ramës.
Lëvizja e re u bë papritmas, përmirësimi i qeverisjes dhe ndryshimi i disa ministrave. Po të shihen emrat e anëtarëve të kabinetit që pretendohet se Meta kërkon të lëvizë, janë “rastësisht” po të njëjtit që kanë kaluar nëpër duar dosjen e CEZ. Pikërisht ata sipas kreut të LSI-së nuk injektojnë dot më impulse të reja.
Dhe me këtë gur të ri, Ilir Meta vret dy zogj.
Së pari, ai kërcënon hapur çdo ministër që imagjinon të prekë patatet e nxehta të qeverisjeve të tij të djeshme dhe të sotme.
Së dyti, duke kritikuar kabinetin Rama, mosarritjet e tij, nevojën për ndryshim (nuk është madje çudi që ai të ketë edhe dokumente për mëkatet e rilindasve të rij) Meta kërkon të mbrojë idenë se në arenën tonë politike nuk ka të bardhë dhe të zij. Me deklaratat e fundit ai po bërtet: “Lërmëni në paqe, jemi të gjithë njësoj”.
Dhe ç’është e vërteta ka të drejtë ta bëjë këtë, përsa kohë që të gjithë të tjerët do tuten nga ky kërcënim.
Marrë nga Lapsi.al
/portali DurresLajm/