Tiranë, 3 qershor 2014 – Nesër, pritet të Komisioni Evropian të paraqesë raportin për Shqipërinë, kërkuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian pas shtyrjes së dhënies së statusit kandidat në dhjetorin e vitit të kaluar.

Ditën e publikimit të raportit, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule do të jetë në Tiranë për të marrë pjesë në raundin e tretë të dialogut të nivelit të lartë mbi prioritet e Shqipërisë. Tryeza e dialogut do të mbahet me pjesëmarrjen e anëtarëve të lartë të qeverisë si dhe përfaqësuesve të opozitës.

5 vende të BE-së, Gjermania, Franca, Britania, Danimarka dhe Holanda pavarësisht rekomandimit të KE-së për dhënien e statusit për Shqipërinë, kërkuan shtyrjen e vendimit për në qershor.

BE nuk ka vendosur asnjëherë kundër rekomandimit të KE-së sa i takon procesit të zgjerimit, por pavarësisht progresraportit me nota pozitive dhe plotësimit të kushteve, vendet e BE-së nuk votuan dhënien e statusit, por as nuk e refuzuan.

Pas publikimit të raportit, që pritet të jetë sërish pozitiv, Këshilli i BE-së do të marrë vendimin për dhënien e statusit. Vendimi do të merret më 26 dhe 27 qershor, kur të mblidhet Këshilli i BE-së.

Në draft axhendën e kësaj mbledhje nuk specifikohet se do të ketë një vendim për Shqipërinë, por në pikën e tretë të çështje që do të diskutohet thuhet se, Këshilli Evropian gjithashtu mund të adresojë çështje specifike të marrëdhënieve me jashtë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/