Bruksel, 2 qershor 2014 – Komisioni Europian njofton se raporti për statusin e Shqipërisë nuk do të publikohet më 3 qershor.
Sipas News 24, zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Peter Stano, tha se raporti është në procedurën e miratimit dhe pritet të miratohet nga fundi i kësaj jave.
Stano theksoi se raporti do të shërbejë si bazë për diskutimet e vendeve anëtare në Samitin e Këshillit Europian më vonë gjatë këtij muaji, ku ata do të vendosin për statusin e vendit kandidat.
Stano njofton ndër të tjera se nuk bëhet fjalë për një raport progresi, por për një raport që vendet e Bashkimit Europian i kanë kërkuar Komisionit Europian të përgatisë një përmbledhje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformës gjyqësore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





