Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Eurokomisioneri Jonahes Hahn tha se ka kërkuar të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se “duhet t’i përmbahemi angazhimeve tona”.
"Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës. Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vende", u shpreh ai.
"Vendet janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin, jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve. Ka ende çështje të rëndësishme në rajon, duhet të kenë më shumë qëndrueshmëri. Nuk duam të importojmë mosmarrëveshjet dypalëshe. Sfida kryesore mbetet ekonomia, e cila përballet me dobësi. Duhet të reformohen. Çështjen e papunësisë duhet zgjidhur, çështja e emigracionit dhe lindjet e ulëta janë problem. Standardet e jetesës duhet të rriten pasi janë të ulëta", deklaroi Hahn.
****
Bëhet fjalë për dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.
Komisioneri evropian për çështjet e zgjerimit, Johannes Hahn më herët për Radion Evropa e Lirë konfirmoi që Komisioni Evropian, përsëri këtë vit, do të dalë me rekomandimin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Këto dy çështje do të diskutohen më vonë në nivel të ministrive të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt.
Raport i këtij viti gjithashtu është i rëndësishëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila këtë herë merr zyrtarisht dokumentin e quajtur Avis, që është mendimi i Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendit që të bëhet kandidat për anëtarësim të plotë në BE.
Ky është një dokument, i cili do të përcaktojë gjendjen e përgjithshme të vendit dhe gatishmërinë e saj për t’u bërë anëtare potenciale e BE-së. REL





