Komisioni Europian do të rekomandojë sot hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Raporti i progresit do t’i dorëzohet Kryeministrit Rama nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zv.presidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini, të mërkurën, kur do të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Pas vlerësimit të 5 prioriteteve kryesore të vendosura nga Komisioni Europian, në vëmendje nga Brukseli do të jetë mbarëvajtja e Reformës në Drejtësi, e veçanërisht procesi i vetingut. Sipas EU Observer, raporti prej 37 faqesh i progresit që ka bërë Shqipëria në këtë një vit e gjysmë, pasi për vitin 2017 nuk pati raport, thuhet se është bërë përparim në pesë prioritetet kyçe.

“Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.

Në raport vlerësohet ecuria në Reformën në Drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vetingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla.

Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm.

Duke u ndalur te korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave.

“Përgjithësisht ka pasur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017).

Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend.

Bashkëpunimi mes Policisë dhe Prokurorisë ka vend për përmirësim dhe ka pasur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale, numri i të dënuarve si koka të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët.

Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport. Edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, Komisioni njeh pak përparësi.

“Progres domethënës u krye me amendimet e Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir organizmash antikorrupsion, përfshirë edhe një prokuror të posaçëm pritet të ngrihen. Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, vëren KE.

/Panorama/