Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama për reagimin e tij lidhur me pjesëmarrjen në videokonferencë të Komisioneres së BE-së për Inovacionin, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriela.
Basha shkruan se nervozizmi i Ramës është i pakuptimtë dhe shton se të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara.
Më tej, kryedemokrati akuzon kreun e qeverisë se nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin por bëri hapa pas.
“I habitshëm nervozizmi i Rames. Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ‘90: ajo është rruga që të çon në Europë.
Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do ti japin vendit tonë.”, shkruan Basha në Twitter.





