BRUKSEL, 23 shkurt 2013 – Ristrukturimi i shërbimeve të inspektoratit kombëtar që përfshin shkrirjen e inspektoratit të peshkimit me inspektoratin e pyjeve dhe mjedisit nuk është shoqëruar nga ndonjë ndarje e qartë detyrash midis Drejtorisë së Peshkimit dhe Drejtorisë së Inspektimit, konstatonte Komisioni Evropian në dhjetor 2012 në raport progresin për Shqipërinë.

Sasitë e peshkut të zënë dhe sasitë e peshkut të dorëzuar nuk janë ende të besueshme, pasi inspektorët nuk i verifikojnë sasitë e kapjes në bazë të parimit 24 orë në 7 ditë, fajëson Brukseli Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Si metoda e raportimit ashtu dhe të dhënat e pamjaftueshme të kapjes së peshkut i kompromentojnë statistikat e Drejtorisë së Peshkimit, dhe si pasojë dhe zhvillimin e planeve të menaxhimit të besueshëm.

Numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar anët kryesore përgjatë bregdetit. Inspektimet për të luftuar peshkimin e vogël bregdetar janë të rralla dhe nuk janë të koordinuara me organet e tjera të tilla si Roja Bregdetare ose Policia Kufitare, thuhet në Progres-Raport.

Në fushat e aksioneve strukturore, ndihmës shtetërore dhe politikës së tregut, nuk mund të raportohen zhvillime. Dhe si përfundim, ka pasur përparim të kufizuar në fushën e peshkimit. Nevojitet të shtohen burimet dhe kapacitetet teknike për monitorimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve kompetente. Në tërësi, përgatitjet nuk kanë përparuar shumë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/