7 gusht 2015 – Heqja e ditëve të punës ka qenë shkaku i përplasjes fizike mes drejtorit dhe infermieres të Qendrës Shëndetësore të Komunës së Fanit në Mirditë.
Sipas drejtorit Gjon Lleshi, infermierja Marie Prenga ishte larguar para kohe nga puna ose kishte ardhur me vonesë. Pas debateve mes tyre, Gjon Lleshi i ka kërkuar Maries të dalë nga zyra, për shkak edhe të fjalorit të papërshtatshëm dhe ofendues ndaj tij. Kjo ka shkaktuar agravimin e situatës e për pasojë Marie Prenga ka marrë në dritaren e zyrës së drejtorit një vazo me lule, duke ia përplasur në kokë drejtorit të saj dhe duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Ai është mbuluar në gjak, pas dëmtimit në hundë dhe fytyrë. Kaq ka mjaftuar që drejtori të ngrihet nga karrigia e tij e të godasë me grushte e shkelma vartësen, duke i shkaktuar asaj fraktura në kokë e trup.
Ndërsa për ndarjen e tyre kanë hyrë punonjësit e kësaj qendre shëndetësore. Pas ndarjes së tyre, Marie Prenga është dërguar në spitalin e Rrëshenit, ku vijon të kurohet nga mjekët. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 08.00 të mëngjesit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/