SHBA, 30 korrik 2014 – Championsi i verës ka marrë fund për Realin e Madridit, që tashmë nuk ka më llogari për të bërë për të shkuar në Miami. Gjithsesi për ekipin e Ancelottit nuk ka kthim në shtëpi, pasi mund të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara deri më 2 Gusht, kur do të përballet me Manchester United në një takim që veç aspektit miqësor, nuk vlen për gjë tjetër.
Në testin e dytë në Champions Cup, disfata për kampionët e Europës ka si autor Francesco Tottin, i cili shënoi golin e vetëm në Dallas.
Ndonëse në Dallas luhej brenda kuadrit të miqësoreve, hasmërirat e të shkuarës dolën sërish në pah duke rikthyer armiqësi në fushë. Konkretisht Keita refuzoi të shtrëngojë duart me Pepen, të cilin 3 vjet më parë e akuzoi se e quajti majmun kur të dy luanin në Superkupën e Spanjës, njëri për Realin e tjetri për Barcelonën.
Por nuk u mjaftua me kaq mesfushori nga Mali, sepse inatin ndaj portugezit e nxori sërish duke i lëshuar një shishe me ujë në një episod që për pak momente shkaktoi tension në fushë.
Seydou Keita ka sqaruar nëpërmjet profilit të tij në Twitter episodin me portugezin Pepe në miqësoren e Dallasit mes Romës dhe Real Madrid.
"1. Më ka quajtur "majmun" në një prej ndeshjeve Real Madrid-Barcelona, 2. Nuk më ka dhënë dorën, 3. Më shtyhu dhe më pas unë i hodha shishen. Kërkoj falje për sjelljen time", shkruan mesfushori nga Mali i Romës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





