Kryetari në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi gjatë një interviste në një emision, ka zbuluar se para një muaji e gjysmë i ka ofruar Lulzim Bashës dorëheqjen e tij, por ai nuk e ka pranuar.

Dorëheqjen ia kam ofruar kryetarit të partisë para një muaji e gjysmë, në zyrën e tij dhe nuk e ka pranuar. Unë nuk e kam problem, dal e jap deri nesër dorëheqjen. Kur ndodhi peticioni i të rinjve e kam dorëzuar në tavolinë.”, tha ai.

Këlliçi, tha se zgjedhjet ishin shtyrë për këtë shtator, për shkak se një vit më parë nuk u arrit organizimi i tyre, si pasojë e pandemisë e cila ndalonte grumbullimet.

Në 2020 nuk mund të bënim zgjedhje fair për shkak se ishte kohë pandemie dhe ndaloheshin grumbullimet. E kemi diskutuar dhe kishim gjykuar që në shtator të këtij viti unë të paraqisja dorëheqjen dhe sekretari i forumit rinor të ndiqte zgjedhjet në çdo strukturë. Do ta shihni dhe në ditët në vijim. Unë e kam mbyllur ciklin tim në forumin rinor. E kam dhënë kontributin tim. Jemi të gjithë jashtë mandatit. Por ka një problem.

Në këtë moment e gjetëm të bëjmë zgjedhje. Në një komision ku nuk është sekretari. Basha nuk i bën dot zgjedhjet ashtu si do sepse ne kemi statut. Ka një problem shumë të madh. Forumi rinor nuk është një grup njerëzish. Unë e kam ofruar dorëheqjen time për shkak të një krize një muaj më parë. Do kemi aksionin tonë në ditët në vijim. Nuk ka shans të hyj në këtë situatë për të mbajtur karrigen e forumit rinor. Vendimi i Bashës është kontestuar 100%”, tha Këlliçi.