Në një postim në rrjetet e tij sociale, deputeti Belind Këlliçi theksoi se shqiptarët po vijojnë të paguajnë me taksat e tyre faturën e një prej skandaleve më të rënda financiare të viteve të fundit, duke akuzuar drejtpërdrejt Edi Rama dhe Erion Veliaj për humbjen e dhjetëra milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Sipas tij, bëhet fjalë për mbi 110 milionë euro që qytetarët detyrohen të paguajnë pas çështjes me biznesmenin italian Francesco Becchetti dhe mbylljes së televizionit Agon Channel, një kosto që, siç shprehet ai, rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e shqiptarëve.

Postimi:

Shqiptarët vazhdojnë paguajnë miliona për humorin e simpatitë personale të Edi Ramës e Erion Veliajt. 

70 milionë euro që mund të ishin shkolla apo kopshte të reja, qendra të reja shëndetësore, rritje pensionesh apo rimbursim ilaçesh, i ikën buxhetit të shtetit vetëm në një vit, sepse Edi Rama dhe Erion Veliaj u bezdisen nga një televizion dhe nuk po e fusnin dot nën kontroll.

Edi Rama shpreson se do të harrohet një nga krimet më të mëdha financiare që ka bërë, duke u mohuar shqiptarëve 110 milionë euro, duke ua marrë nga taksat e puna e tyre, për të paguar skandalin e tij me Beketin.

Prej sjelles si mullah ai dhe bejnamimi i tij i asaj kohe, Veliaj, prej kërcënimeve dhe shantazheve, sipërmarrësi italian mbylli televizionin me të cilin nuk i bente fresk qeverisë dhe fitoi gjyqin në arbitrazh ndërkombëtar. 

110 milionë euro duhet tani shqiptarët të paguajnë për shkak të një trilli personal të Edi Ramës apo se Agon TV filmoi dasmën e Veliajt që nuk ishte aspak sekrete e në vend të mbyllur, por në Kalanë e Gjirokastrës.

Çdo vit nga buxheti i shtetit ikin shuma të mëdha për këto çështje të humbura për shkak të simpative personale të Palloshit të gjatë. 
A ja kanë për borxh shqiptarët, populli më i varfër në rajon e në Europë, që kryeministri të luajë me taksat e tyre në këtë mënyrë?! 

SPAK do të duhej të kishte vënë para përgjegjësisë me kohë Edi Ramën për këtë krim ekonomik. 
Por sado të vonojë, ai nuk do të shpëtojë nga dhënia e llogarisë. S’do të ketë kurrë aministi për këtë dëm që u ka bërë qytetarëve shqiptarë.