Gjatë fjalës së tij në protestën përpara Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi ka sulmuar ndër të tjera edhe policinë.

Këlliçi tha se policisë duhet t’i vijë turp, pasi po mbrojnë një hajdut dhe një bandë në pushtet. Ai iu tha policëve “mercenarë dhe mbeturina” që janë vënë në shërbim të pushtetit të Veliajt dhe Ramës.

Belind Këlliçi: Turp për Policinë e Shtetit që sillet kështu me qytetarët. Kjo betejë bëhët dhe për ju, turp për ju, t’ju vijë zor për familjarët e tu. T’ju vijë turp, se përpara se të jeni policë jeni qytetarë. Veliaj e pi shishen e verës sa keni ju rrogën. Po mbroni hajdutërinë.

Kjo është një bandë që kërkon përgjigje të merituar. Të protestojmë edhe para parlamentit, që të largojmë Edi Ramën, Taulant Ballën, ndaloni policinë, këta mbeturina që janë mercenarë që shtypin qytetarët. Asnjë qytetar nuk reagoi ndaj policisë dhe kjo që ata bënë ishte e panevojshme.

Gjatë tubimit sot, protestuesit kanë djegur goma automjetesh. Në këto momente, policia ka ndërhyrë për të fikur zjarrin. Gjithashtu janë hedhur herë pas here vezë në drejtim të godinës së Bashkisë Tiranë.

Protestat e përjavshme të opozitës para bashkisë nisën pas arrestimeve të disa prej drejtuesve më të lartë të këtij institucioni për të cilët SPAK thotë se kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.