Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot se kjo forcë politike do të mbështesë kandidatin që do të gëzojë mbështetjen më të madhe nga Primaret në Tiranë.
Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se nëse do të ketë kandidatë të kësaj force politike që pretendojnë se mund të fitojnë në zona të caktuara, do t’i paraqiten PD-së.
Kë kandidat mbështesni për Tiranën, Këlliçin, Bogdanin apo Alimehmetin?
Emrat janë njëri më i mirë se tjetri. Procesi është një hap shumë pozitiv. I ftoj të gjithë kandidatët të shpalosin platformat e tyre për rivendosjen e llogaridhënies në Bashkinë e Tiranës. Mbështesim procesin, cilido kandidat që do fitojë do gëzojë edhe përkrahjen e kolegëve të tjerë që Tirana t’iu ikë nga duart tiranëve.
Do bëni ndonjë propozim në primare?
Sot do të jetë mbledhja e parë e kryesisë së zgjedhur. Në këtë mbledhje do të përcaktohet edhe mënyra se si do të merren në konsideratë të gjithë ata kandidatë që pretendojnë se mund të kontribuojnë në fitoren e opozitës. Për këto raste do të bisedohet me PD-në, duke respektuar marrëveshjen që ne kemi nënshkruar me të, duke respektuar primaret.
Si do jetë protesta e 12 nëntorit, do të jetë paqësore?
12 nëntori është rasti që të gjithë qytetarët shqiptarë të dalin e të thonë fjalën e tyre, të kërkojnë llogari për shkatërrimin e shtetit, për shkatërrimin e ekonomisë familjare në vend. Është koha t’i jepet fund regjimit gjobëvënës ndaj shqiptarëve të ndershëm.