Bëri shumë bujë javën e shkuar veprimi i portierit të Augsburgut, Marvin Hic, i cili bëri një gropë te pika e penalltisë dhe më pas lojtari i Këlnit që gjuajti, rrëshqiti dhe Hic ia priti penalltinë.

Të shumtë ishin ata që kërkuan pezullim për portierin, por në fakt federata gjermane ka vendosur të mos marrë asnjë masë, duke mos ditur si ta cilësonte veprimin e çuditshëm të portierit të Augsburgut, që ia ka hedhur pa asnjë masë ndëshkimore.

Megjithatë, Këlni nuk është dakord dhe ka bërë një kërkesë interesante: Hic duhet të paguajë 122,92 euro! Arsyeja? Fusha është prishur në vendin ku gërmoi portieri, ndaj duhet zëvendësuar një metër katror.

Përgjegjësi i stadiumit të Këlnit, Hans Ryten, shpjegon: “Nuk është çështja te paratë, por një dënim i lehtë nuk i bën dëm askujt. Përveç kësaj, ato para do të shkojnë në donacion për një spital fëmijësh”.