Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka përsëritur sërish thirrjen ndaj autoriteteve shqiptare për lirimin e kryetarit të sapozgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Mesazhin se Beleri duhet të lirohet e ka dërguar ministri i Jashtëm Dendias teksa ka bërë të ditur se të hënën do të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së ku do të ngrejë këtë çështje.

“Duhet të kemi llogari të mira. Kështu do të jemi miq të mirë”, tha ministri i Jashtëm duke folur për televizionin STAR dhe shpresoi për transparencë të plotë nga pala shqiptare për trajtimin me ndjenjën e seriozitetit të krizës që mund të krijojë kjo çështje në marrëdhëniet greko-shqiptare.

“As nuk shtyjmë e as bërtasim, duam miqësi, por jo me çdo çmim”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Nikos Dendias bëri të ditur se të hënën do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të ngrejë çështjen e ndalimit të kryebashkiakut të Himarës.

“Për shkak se çështja është jashtëzakonisht e rëndë, të hënën në mëngjes do të jem në Bruksel. Aty kemi një drekë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Çështja duhet të ngrihet në Këshillin e Ministrave. Nuk është e mundur të mos vendoset. Ndalimi i një kandidati për kryetar komune 48 orë para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në paraburgim derisa ai është zgjedhur nuk është e zakonshme. Pse mbahet ai? Cili është ky element i rrezikshmërisë së tij që kërkon ndalim të zgjatur? Këto janë pyetje të mëdha”, theksoi ai.

Gjatë drekës me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm pritet të takohet me homologun e tij shqiptar.

“Duhet t’u shpjegojmë shqiptarëve, ka shumë mundësi që të takoj personalisht edhe ministrin e jashtëm shqiptar. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të thënë disa fjalë”, theksoi Nikos Dendias.

Njëkohësisht ai theksoi se beson shumë në miqësinë greko-shqiptare dhe se këto dy vende janë shumë afër. Më tej, ai iu referua rëndësisë së misionit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme në Shqipëri.

“E dërgova në Shqipëri sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme sepse çështja është jashtëzakonisht e rëndë. Dhe doja që në radhë të parë, si gjest politik, të kuptohesha nga pala tjetër. Së dyti, duhet të ketë një koordinim në një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ndalimin e kryebashkiakut të Himarës, me problemet shëndetësore të të burgosurit të dytë, por edhe me operacionet e shembjes. Ne duam të kemi një pasqyrë të qartë të ligjshmërisë-paligjshmërisë”, tha ai.