Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë përsëri se për shkak të “sfidave” lidhur me disa vendime të Qeverisë Kurti, “kanë ndikuar në kualitetin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA”.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier, raporton Koha.
Ai ka thënë se ndonëse bashkëpunimi në disa fusha me Qeverinë aktuale të Kosovës mbetet më pak pozitive se që kishin shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt siç ka qenë gjithmonë.
Ai ka thënë se dëshmi për këtë është edhe marrëveshja e nënshkruar sot.
Hovenier dhe ambasadorë tjerë të shteteve të QUINT-it kanë reguar së fundi lidhur me planet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të veturave.
Hovenie tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë javën e kaluar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.