Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te Televizioni Publik Shqiptar.
Ai u shpreh se RTSH duhet të shqyrtojë disa opozione siç janë mbyllje, riformatimi, privatizimi, ose dhe partneritetit, sepse sipas Ramës, nuk duhet të vijojë më siç është, ndryshe nuk do të ketë më taksë për televizionin.
“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje.
Kemi një kanal atje. Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televizionin publik ishte para vitit 1990, para përmbysjes, kur thonin ishin ca protesta. Që atëherë, unë nuk i kam parë. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam parë.
Duhet ndarë mendja, drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazhi: ‘Shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama të gjithë i kam takuar pasi janë zgjedhur.
I kam thënë vetëm një gjë, mbylleni. Nxirrni në ekran: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar. I kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’. Të bëjnë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera, me më shumë pak buxhet marrin më shumë sukses. Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë çdo ditë.
E duan të drejtën e FSHF-së për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares sepse Kombëtarja duhet të transmetohet në televizionin publik, por lekët nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve.
Mendoj se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë”, tha ndër të tjera Rama.





