“Kemi të bëjmë me një vrasës profesionist e gjakftohtë”. Kështu shprehen hetuesit, të cilët po merren me atentatin e pasdites së të mërkurës tek kthesa e Grudës në Shkodër, ku mbeti i vrarë Ferdinand Polia.

“Një motorçikletë TMAX ngjyrë gri, erdhi përballë dhe drejtuesi me skafandër të zezë qëlloi në drejtimin tonë. Jam ulur dhe dëgjova vetëm zhurmën e plumbave që shponin trupin e Nardit”,dëshmoi Xhovani Mirashi, mik i viktimës dhe dëshmitar okular i ngjarjes, pasi gjendej në të njëjtën makinë me të.

“Nuk kishte probleme, nuk di për ndonjë ngatërresë, apo që të kishte ndonjë konflikt”,ka thënë shoku i tij në polici menjëherë pas ngjarjes.

Të njëjtën gjë thonë edhe në Policinë e Shkodrës. Nuk janë regjistruar konflikte të ekspozuara të viktimës dhe kjo e ka bërë punën edhe më të vështirë për grupin hetimor.

35-vjeçari ishte duke shkuar në drejtim të Shkodres kur iu bë atentat. Ai ishte babai i një vajze, ndërkohë bashkëshortja e tij ishte shtatzënë. 

Vrasësi fillimisht ka dalë përpara makinës dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të tij. Makina ka ndaluar disa metra më poshtë, ku vrasësi përsëri u afrua dhe qëlloi mbi viktimën edhe disa herë të tjera. Autori ka përdorur automatik “Scorpions”.

Ekspertët kanë gjetur 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, kurse në trupin e viktimës 18 plumba.