NGA ILIR YZEIRI
Diskutimi që ka rinisur për Ligjin e Arsimit të Lartë është i zbehtë, periferik dhe duket sikur nuk do të prekë askënd. Ka nga ata që paralajmërojnë se po të miratohet ky ligj do të vijë fundi i botës, ka shumë indiferentë dhe nga ana tjetër, qeveria, jo vetëm që nuk di ta shpjegojë përse kërkon ta miratojë këtë ligj, por mesa duket edhe nuk do. Ka gati dy vjet që flitet për këtë ligj dhe askush nuk mori vesh se cilat janë palët që po debatojnë, cili është autori i tekstit dhe çfarë efektesh prodhon ky ligj te publiku. Qeveria bëri disa arnime nga varianti i parë dhe një rektor e një dekan shkuan dhe i paraqitën vërejtjet Komisionit përkatës në Kuvend. Personalisht, jam shprehur për këtë ligj dhe kam mbështetur variantin e parë. Madje, sipas meje, qeveria duhet të marrë më shumë përgjegjësi në arsimin e lartë.
Universitetet – çifligje dhe biznese fitimprurëse
Në qoftë se qeveria hartoi një ligj të ri për Arsimin e Lartë, ajo u nis nga premisa e pranuar nga të gjithë se kështu siç është Arsimi i Lartë ka dështuar. Këtë të vërtetë e pranojnë të gjithë, si ata që nuk pranojnë ligjin e paraqitur nga qeveria, si indiferentët ashtu dhe opinioni në tërësi. Po çfarë ka falimentuar? E para, ka falimentuar mënyra e organizimit dhe funksionimit të Arsimit të Lartë. Që nga koha kur në arsimin e lartë u fut sistemi i zgjedhjeve të organeve drejtuese, institucionet e arsimit të lartë shfaqën anën më të errët të shoqërisë shqiptare. Këtë institucion demokratik të pazëvendësueshëm, zgjedhjet, pra, institucionet e arsimit të lartë e shfrytëzuan për t’i kthyer universitetet në sipërmarrje private. Rekrutimi i stafit, zgjedhja e organeve drejtuese u përdorën si mjete për të mbajtur në poste kyçe një taraf të caktuar dhe ndodhi pastaj që një vend pune në universitet, në fakultete të caktuara, të blihet me mijëra euro. Në emër të autonomisë universitare u vendos diktatura e tarafit, e ryshfetit dhe e klanit që e qeveris universitetin si një sipërmarrje private. Rektori apo dekani shpallen vetvetiu si pronarë të universitetit dhe ata e administrojnë atë me kriteret e errëta të përfitimit. Qeveria, me Ligjin që ka paraqitur, nuk e shëron këtë plagë. Ajo krijon disa agjenci të cilat në mënyrë jo të qartë vendosen midis institucionit të arsimit të lartë dhe qeverisë, por pushteti real nuk merret vesh se nga anon. Personalisht unë do të parapëlqeja një formë më të qartë dhe më të hapur ku qeveria të ketë paketën kontrolluese në emërimet apo në zgjedhjen e stafit drejtues të institucionit të arsimit të lartë. Modeli i zgjedhjeve ka dështuar dhe është përdorur si mbulesë gjoja demokratike për të instaluar diktaturën e tarafit, të nepotizmit, të ryshfetit dhe të antivlerës.
Kërkimi shkencor ose përrallat anës zjarrit
Institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri kanë dështuar edhe në fushën e kërkimit shkencor dhe të kualifikimit. Sot ne nuk e dimë dhe nuk kemi asnjë mjet për të matur sesa i paraprin zhvillimit të vendit ekspertiza e akademikëve, profesorëve dhe institucioneve të arsimit të lartë. Kush mund të më thotë sot se cilat vepra në fushën e ekonomisë, të bujqësisë, të matematikës, të albanologjisë po i paraprijnë zhvillimit të vendit? Debatet e akademikëve tanë janë për punë lekësh, sa para do marrë publiku dhe sa para do të marrë privati, sa para do administroj unë dhe sa para ti. Ky mjerim i madh vjen pikërisht nga mënyra sesi funksionojnë sot institucionet e arsimit të lartë. Punën e tyre nuk ka asnjë filtër që e mat apo që e kullon. Ligji i arsimit të lartë, që pritet të miratohet, nuk ka asnjë shenjë që mund ta mjekojë këtë plagë. Disa amendime që iu bënë ligjit të vjetër nga qeveria pararendëse, u kanë dhënë mundësi edhe universiteteve rajonale që të realizojnë disa shkallë të kualifikimit shkencor, përkatësisht deri të Prof. As. Kjo nuk është ndonjë gjë që duhet parë me sy të keq, sepse, nga njëra anë, shmangu monopolin e pakuptimtë të disa institucioneve të arsimit të lartë në Tiranë dhe iu dha një frymëmarrje më të madhe edhe institucioneve të arsimit të lartë nëpër rrethe, por, nga ana tjetër, për shkak se nuk u vu asnjë filtër, ky proces po degjeneron dhe tani fitimi i gradës shkencore “Doktor” fjala vjen po kthehet në një biznes të ri dhe në një karikaturë të re të pseudoshkencës shqiptare. Ligji i ri nuk e zgjidh as këtë handikap.
Shkolla ose utopia që mungon
Problemet që ka universiteti mund të jenë edhe më shumë se kaq dhe ligji që po bëhet gati të miratohet jo vetëm që nuk do të zgjidhë problemet e arsimit të lartë, por do të shtojë të tjera. Ai do t’i japë një formë tjetër organizimit të institucioneve të arsimit të lartë si korporata biznesi duke e shpërndarë pushtetin edhe te disa agjenci. Ndërkaq, një problem tjetër nuk është prekur ende – shkolla. Në universitet mbërrijnë studentë tmerrësisht të dobët. Shkolla shqiptare është e falimentuar, sepse pas viteve ’90 u shkatërrua doktrina mbi të cilën ndërtohet shkolla. Në çdo vend të botës, formimi i fëmijëve është një problem kombëtar dhe dija që do të futet në kokën e fëmijëve, përzgjidhet, peshohet dhe ambalazhohet me anë të një platforme që e përgatisin dijetarët më të mëdhenj të kombit. Ndërsa te ne një grup nëpunësish të mbledhur në një institucion që nuk e njeh askush, bëjnë eksperimente me kurrikula duke huazuar modele që nuk kanë të bëjnë fare me doktrinën e madhe të shkollës europiane shqiptare. Shkolla shqiptare duhet ribërë nga fillimi sipas modeleve perëndimore më të mira. Sasia e informacionit, dija, konceptet dhe interpretimet duhet të përpunohen nga një grup shkencëtarësh dhe akademikësh me përvojë. Mbi këtë bazë, pastaj të hartohen programet dhe më pas tekstet. Në fund të viteve ’90, kur ministër Arsimi ishte Skënder Gjinushi u ndërmor një sipërmarrje e tillë dhe u hartuan kurrikulat, programet dhe tekstet madje për dy lëndë – gjuhën shqipe dhe matematikën. Atë të gjuhës shqipe më kujtohet se e pat hartuar prof. Bahri Beci dhe përfshinte një shtrirje prej klasës së parë fillore deri në të nëntën. Pra gjuha shqipe dhe letërsia së bashku ishin ndërtuar si një e tërë. Po ashtu dhe matematika. Nuk di çfarë është bërë me atë projekt. Në çdo vend të botës, shkolla është epiqendra e kërkimit dhe kujdesi për të përfshin autoritetet më të larta shkencore të një vendi. Te ne, sa herë që ndërrohen qeveritë ndërrojnë Ligjin për Arsimin e Lartë, por nuk kujtohet askush që të ndërmarrë nismën e madhe të rithemelimit të shkollës shqipe që aktualisht ka vdekur.
Marrë nga “Shqip”, 12 korrik 2015