Sarandë, 9 qershor 2014 – Zbardhen detaje nga trafiku i drogës nga pika kufitare e Kakavijës. Policia e Gjirokastrës deklaroi dje se janë vënë në pranga dy këngëtarë grekë nga Selaniku, të cilët një ditë para arrestimit në flagrancë me 63.5 kg marijuanë kishin qenë të ftuar në një disko në qytetin e Sarandës. 

Fillimisht, u bë i ditur fakti se u ndalua mbrëmjen e së shtunës 27-vjeçari Panajotis Markopulos, i cili drejtonte makinën tip “Seat” me targa greke IPP 3885. Ai po tentonte në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës me pakot e drogës të fshehura në brendësi të prapakolpit, në shasi dhe poshtë sediljes së pasme, ku ishte krijuar një hapësirë për të fshehur marijuanën. Menjëherë Markopulos është vënë në pranga në kushtet e flagrancës, ndërsa është marrë në pyetje dhe pasagjerja që ndodhej në mjet me të, 30-vjeçarja po nga Selaniku, Anastasia Vogiatzi. 

Sipas Policisë, hetimet kanë vijuar nga specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, duke u përdorur edhe metodat speciale të hetimit. Prej tyre rezultoi se edhe këngëtarja Vogiatzi është bashkautore e trafikut të lëndës narkotike të sekuestruar. Dy këngëtarët, të famshëm në vendlindjen e tyre, por edhe në Shqipëri, janë arrestuar me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Në brendësi të hapësirës së krijuar në makinë u gjetën 95 pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me marijuanë, me peshë të përgjithshme 63.5 kg. Nga verifikimi i aktivitetit të tyre rezulton se disa herë dy këngëtarët Markopulos dhe Vogiatzi kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, kryesisht në qytetet e Sarandës dhe Gjirokastrës për të dhënë shfaqje. Policia dyshon se edhe më parë ata kanë siguruar lëndë narkotike, duke e trafikuar atë drejt Greqisë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/