Në të gjithë Qarkun e Durrësit, më shumë se 34 mijë e 900 nxënës i janë drejtuar sot shkollave për të filluar mësimin në këtë vit të ri arsimor. Çdo gjë ka nisur normalisht, shpesh shoqëruar edhe me aktivitete të ndryshme artistike.
Nxënësit janë takuar sërish me mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre. Më të gëzuar kanë qenë ata që e nisin për herë të parë këtë rrugëtim. Me buqeta me lule në duar, fëmijët i janë drejtuar sot shkollave, të shoqëruar nga prindërit e tyre teksa janë ulur sot për herë të parë në bankë.
Në rajonin e Durrësit janë plot 34 mijë e 900 nxënës, ku 25 mijë e 600 prej tyre janë nxënës në arsimin bazë, ndërkohë që 9 mijë e 300 janë të regjistruar në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe një numër më i ulët, rreth 2 mijë e 700, rezultojnë të regjistruar në arsimin profesional.
Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme, në Durrës ka ende shkolla, të cilat do të zhvillojnë mësimin me dy apo edhe me tre turne.
Disa shkolla 9-vjeçare të qytetit u rikonstruktuan apo edhe u ndërtuan tërësisht të reja, të cilat nuk arritën të bëheshin gati përfundimisht, duke i lënë nxënësit në pritje edhe për disa muaj të tjerë. E tillë është shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, për të cilën punimet kanë nisur para një viti, por nuk përfunduan në kohën e duhur.
K.H.





