Revista “Forbes” ka publikuar listën e dhjetë këngëtareve pop më të pasura të vitit. Përveç shitjeve të albumeve, janë daljet në televizor, apo reklama të ndryshme. Sukses i jashtëzakonshëm për Britney Spears, Taylor Swift, Rihanna dhe Lady Gaga.
Dukej sikur epoka e Britney Spears kishte perënduar tashmë, por s’qenka kështu. Sipas revistës “Forbes”, Britney është këngëtarja më e pasur e vitit 2012. Pas shtrimeve të njëpasnjëshme në spital, rruajtjes së kokës, ndalimit nga gjykata për të qëndruar me fëmijët, dukej sikur Britney ishte e destinuar të zhdukej nga bota e njerëzve të famshëm. Por këngëtarja po e mbyll vitin 2012 me 58 milionë dollarë. Merita është e albumit të fundit “Femme Fatale” që është pritur shumë mirë nga fansat e saj. Kësaj i shtohet edhe pjesëmarrja si trajnere në spektaklin “X Factor Usa” dhe prezantimi i një parfumi. Të gjitha gjërat bashkë kanë shumëfishuar të ardhurat e këngëtares.
Me vetëm 1 milion dollarë diferencë, saktësisht 57 milionë, në vendin e dytë të klasifikimit të “Forbes”, renditet Taylor Swift. “Taylor kush?”, mund të thotë dikush… Këngëtarja mund të mos njihet nëpër botë, por në SHBA është shumë e famshme. Ka kompozuar muzikë “country” që kur ishte e vogël dhe në pak vite mori famë ndërkombëtare. E lindur në vitin 1989, në 2011-n Taylor arriti 20 milionë albume të shitura dhe 42 milionë këngë. Vajza u bë pjesë e rekordeve “Guinness” për shitjen më të shpejtë dixhitale me këngën “Speak Now” dhe për numrin më të madh të këngëve të renditura njëkohësisht në vendet e para nga një artiste femër.
Së fundmi, është bërë pjesë e gazetave rozë për lidhjen me një prej pjesëtarëve të grupit të famshëm “One Direction”, Harry Styles. Harry pëlqehet shumë nga adoleshentet të cilat tani e kanë marrë inat këngëtaren që u ka “vjedhur” djaloshin bukurosh!
Ky vit i artë i Rihanna-s mbyllet me llogarinë 53 milionë dollarë. Sipas revistës “Forbes” kjo është muzikantja e tretë më e pasur e Amerikës. Shitje të mëdha ka pasur për dy albumet e saj “Diamonds” dhe “We Found Love”, por të ardhurat e saj u shtuan falë fushatave publicitare për “Vita Coco and Nivea”, dhe parfumin “Reb’l Fleur”.
Në këtë klasifikim, Lady Gaga mban vendin e katërt. Diva ka arritur t’i shtojë llogarisë së saj vetëm 52 milionë dollarë. Merita është e turneut “Monsters Tour” që po shkon për mrekulli dhe e prezantimit të parfumit të saj të parë “Fame”.
Në listën e divave të vlerësuara dhe që fitojnë shumë para nuk mund të mungonte Katy Perry, e cila këtë vit ka çuar në shtëpi 45 milionë dollarë. Katy është artistja e vetme që mund të krahasohet me rekordin e Michael Jackson, i cili kishte pesë këngë të një albumi në klasifikim.
Ajo që e mbyll dhjetëshen e këngëtareve pasanike është Beyonce, e cila ka fituar “vetëm” 40 milionë dollarë dymbëdhjetë muajt e fundit. Zonja Jay-Z nuk do ta ketë problem të mbyllë fundin e vitit, meqenëse burri i saj është reperi më i pasur i Amerikës. Por jo vetëm kaq: Beyonce sapo ka firmosur një kontratë 50 milionë dollarëshe me “Pepsi”-n për vitin 2013, duke siguruar një vend të mirë në klasifikimin e vitit të ardhshëm të revistës “Forbes”.
A ka gjasa që në vitin 2013 Mariah Carey të bëhet pjesë e këtij klasifikimi? Mesa duket po, sepse këngëtarja ka firmosur një kontratë si gjyqtare për në programin “America Idol” dhe gojët e liga thonë se do të fitojë shumë para.
Një surprizë tjetër mund të jetë hyrja e Nicki Minaj në dhjetëshen e këngëtareve më të paguara, këngëtarja e vetme “Hip Hop” e cila nuk u bë pjesë e klasifikimit për disa miliona dollarë (fundja, janë gjëra të vogla që rregullohen…).
Një risi në klasifikimet e këngëtareve të pasura është edhe Willow Smith. Vajza e Will Smith, prej vitesh është pjesë e botës së muzikës me aktivitetin e saj si repere. Në 2007-n ka debutuar si aktore përkrah të atit në filmin “Unë jam legjenda”, por pasioni i saj i vërtetë është muzika. Në vitin 2011 publikoi një album dhe reperi Jay-Z po mendon ta promovojë. A ka më mirë sesa një e ardhme me gjashtë zero.