Kërkimi dhe gjetja e vajzave pjesëmarrëse në videoklipe nëpërmjet rrjeteve sociale kohët e fundit është bërë modë në skenën muzikore.
Dhe siç duket kjo metodë po u ecën goxha shumë këngëtarëve tanë, pasi interesimi i vajzave shqiptare për të dalë në videoklipe dhe për t’u bërë të famshme është shumë i madh.
Këngëtari dhe humoristi nga Shqipëria Ermal Mamaqi është i fundit që për këtë punë ka shfrytëzuar “Facebookun”.
“Nesër xhirohet klipi i këngës time të re. Na duhet një vajzë e bukur dhe me aftësi interpretuese për rolin kryesor. Mosha 18 deri 25 vjeç. Vajzat e interesuara të dërgojnë fotot në inbox’’, ka shkruar para pak ditësh Ermali, i cili shumë shpejt e ka zgjedhur këtë çështje, duke njoftuar se rreth 400 vajza kanë qenë të interesuara për të qenë pjesë e videoklipin të tij dhe në mesin e tyre këngëtari ka zgjedhur vetëm njërën.
“Falënderoj të gjitha vajzat që shprehen dëshirën për të marrë pjesë te klipi im i ri. Ju njoftoj se midis 400 vajzave u përzgjodh modelja Dorela Hysa”, ka njoftuar vetëm pak ditë pas, këngëtari i cili shumë shpejt pritet të bëhet baba. Kënga për të cilën është duke punuar Ermali titullohet “Dukesh e bukur” dhe duke u bazuar te titulli i këngës arsyetohet që Ermali medoemos ka kërkuar që vajza të jetë e bukur. Kjo këngë pritet të publikohet këtë javë në ‘Super Sonic’.





