Këngëtari i njohur durrsak, Zija Saraçi ka festuar sot 50-vjetorin e karrierës së tij artistike.

Për nostalgjikët e muzikës së vjetër durrsake, Saraçi mbetet një emër i njohur dhe mjaft i dashur.

Ashtu siç e pohon ai vetë në një postim në Facebook, përjashtimi 50-vjeçar nga të dy regjimet (ai i vjetri dhe ky i sotmi) ka bërë që ai ta festojë këtë përvjetor të rëndësishëm larg pompozitetit të zakonshëm, projetktorëve të skenës, intervistave apo vlerësimeve presidenciale.

Por për të e rëndësishme mbetet që pranë do të ketë familjen e tij, që e ka mbështetur gjithnjë, dhe publikun, që nuk e braktisi kurrë.

Postimi i Saraçit ka marrë me qindra pëlqime në Facebook, ndërkohë që dhjetëra dashamirës, miq e të njohur të tij e kanë uruar, duke shprehur vlerësimin e tyre për këtë emër të njohur të skenës durrsake.

Për të gjithë nostalgjikët ai do të kujtohet gjithnjë me "Këngën e marinarit".

Postimi i Zija Saraçit:

50 VJETËT E MIJA ME KËNGËN – 
16 NËNTOR 1967 – 16 NËNTOR 2017
Ja ku erdhi 16 Nëntori i vitit 2017. Kaluan plot 50 vite që nga koha kur një djalosh i ri la këngën e rrugëve dhe të bregdetit e hipi shkallët e skenës. 
Ishte 16 Nëntori i vitit 1967. Nata e parë e Festivalit të Tretë të Këngës në Durrës. Pikërisht në natën e tretë këngët që këndova u vlerësuan me çmim të parë dhe të tretë. Sa shpejtë fluturuan, me një frymë. Më pas jeta artistike nuk ishte fushë me lule, përkundrazi, një det plot stuhi e tallaze. Pa dashur miqtë e mi të bëj këtu autobiografinë, për të cilën po okupohet shoqja ime, por ja ku mbërritëm sot, pas përdhunimit dhe përjashtimit artistik 50 vjeçar nga të dy regjimet, nga institucionet shtetërore e kulturore, si dhe nga pseudo artistë të ndryshëm, të jem akoma në fluturim, pas peripecish të pambaruara, studimesh autodidakte, suksesesh, dhe ja, përsëri në këmbë midis jush publiku im i dashur. Sot jam i lumtur shumë, kremtimi i këtij përvjetori gjysmë shekullor do jetë larg projektorëve, radiove, televizorëve, intervistave dhe vlerësimeve presidenciale. Vlerësimi im, jeni ju dhe vetëm ju… edhe festa imagjinare do jetë vetëm me familjen, edhe me ju, publiku im i vyer, që nuk më latë vetëm kurrë. Ju falënderoj dhe ju ulem në gjunjë me respekt. Zijai dhe shoqja e pandarë e luftës, Valentina Saraçi.