Një gjykatë iraniane e ka dënuar fituesin e një çmimi Grammy, Shervin Hajipour, me gati katër vjet burgim, si dhe e ka detyruar të shkruajë muzikë kritike ndaj Shteteve të Bashkuara.

Hajipour ishte arrestuar për herë të parë për këngën e tij “Baraye”, e cila u shndërrua në himn të protestave antiqeveritare në vitin 2022.

Ai shpërndau lajmin rreth dënimit së bashku me një fotografi të aktgjykimit të gjykatës në llogarinë e vet në Instagram më 1 mars.

Hajipour i falënderoi avokatët e tij që “u përpoqën sa mundën” dhe e përdori një shprehje persiane duke lënë të kuptohej se nuk ka asnjë pendesë.

Hajipour është dënuar me tetë muaj burgim për “propagandë kundër Qeverisë” dhe me tri vjet burgim për “nxitjen dhe provokimin e publikut për të shkaktuar trazira që prishin sigurinë kombëtare”. Ai do ta vuajë vetëm dënimin me tri vjet burgim.

Këngëtari dhe tekstshkruesi është urdhëruar edhe “të krijojë muzikë për krimet e Amerikës kundër njerëzimit” dhe “t’i dokumentojë shkeljet e të drejtave të njeriut nga Amerika në shekullin e fundit” dhe t’i botojë gjetjet e tij në rrjetet sociale.