Mateo Brento është djaloshi ital ian që mori famë gjatë pjesëmarrjes së tij në “X Factor”. Që prej asaj kohe duket se këngëtari ka krijuar një lidhje të ngushtë me vendin tonë. Ashtu si ai tregon për “Summer Pages”, për Shqipërinë kishte dëgjuar fjalë të tjera, por ndryshe e gjeti. Ajo që e ka habitur më shumë janë lokalet e shumta që ka gjetur në vendin tonë. Megjithatë ka dashuruar pafund jugun e vendit tonë, si dhe ushqimet, duke theksuar se pjata tij e preferuar është byreku me spinaq. Mateo nuk harron pa evidentuar edhe mikpritjen e shqiptarëve, duke e bërë të ndjehet si në shtëpinë e tij…
Mateo, djaloshi italian që u bë i famshëm nga “X Factor”, si ka vijuar karriera juaj?
Po, karriera ime si këngëtar po vazhdon. Pas “X Factor” kam pasur mundësinë të bëj eksperienca të ndryshme dhe shumë të bukura.
Ku jeni aktualisht dhe me çfarë po merreni?
Shumë shpejt do të dalë kënga ime e re e titulluar “#21 Goodbye my love”. Videoklipi i këngës është xhiruar në New York. Atje, në New York pata kënaqësinë dhe nderin të performoja gjatë “Albanian Fashion Week” në lokalin e famshëm “Stage 48”, ku vitin që shkoi ka performuar edhe Laura Pausini. Gjatë “Albanian Fashion Week” kam prezantuar edhe këngën time të re, kam kënduar këngë të tjera italiane të famshme, por edhe “xhamadani vija vija”. Për mua ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm të shoh publikun shqiptar kaq shumë të ngrohtë dhe të dashur edhe në New York. Ishin emocione të paharrueshme.
Për çfarë ju shërbeu “X Factor”?
“X Factor” më ka shërbyer si një eksperiencë e mirë. Të ngjitesh në një skenë kaq të madhe mund ndodhë përditë. Jam rritur profesionalisht, jam njohur me një publik të madh, kryesisht shqiptar, por edhe në Itali, fakti që kam marrë pjesë në një format kaq të rëndësishëm më ka sjellë famë. Në fakt edhe në Itali jam i impenjuar me bandën time dhe kam marrë pjesë në disa mbrëmje muzikore. Për ata që duan të jetojnë me muzikë nuk ka gjë më të bukur sesa të dëgjohet muzika jote gjithandej dhe të qëndrosh në kontakt me publikun. Në muajin maj u riktheva në Shqipëri për të marrë pjesë në eventin “Shpresë për Shqipëri”, ku kam performuar së bashku me artistë të tjerë shqiptarë. Shpresoj që së shpejti të mund të bëj koncerte edhe në Shqipëri.
Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje kur erdhët në Shqipëri?
Dija që ishte një vend në rritje, por nuk prisja të kishte kaq shumë lokale të reja. Diçka që vë re menjëherë sapo mbërrin në Shqipëri është varfëria dhe pasuria. Është ose e bardhë ose e zezë, nuk ka shtresë të mesme.
Sa u mësuat me Shqipërinë dhe shqiptarët?
Shqipëria më ka mësuar të besoj te njerëzit dhe të vlerësoj kulturën e popujve të tjerë.
Çfarë ju pëlqen më shumë në vendin tonë, po ajo që urreni më shumë?
Në Shqipëri më pëlqen ngrohtësia juaj, humaniteti, që është shumë i ngjashëm me atë të jugut të Italisë, tokës sime. Por nuk më pëlqen shumë mënyra se si trajtohen kafshët në Shqipëri. Unë i dua shumë kafshët dhe mendoj se në këtë pikëpamje duhet të përmirësoheni.
Cila është pjata shqiptare me të cilën është dashuruar Mateo?
Më pëlqen shumë ushqimi, kështu që kam provuar të gjitha gatimet shqiptare. Megjithatë jam i dashuruar me byrekun me spinaq dhe kekun. Janë dy pjatat shqiptare që më mungojnë shumë. Janë shumë të mira.
A keni vizituar vende turistike në Shqipëri, kush ju ka pëlqyer më shumë?
Pas përfundimit të “X Factor” kam marrë një javë pushime dhe kam vizituar pak Shqipërinë, Shkodrën, Gjirokastrën, Tepelenën, Vlorën, Sarandën dhe të gjithë jugun e Shqipërisë. Gjirokastra më ka goditur sepse është një vend shumë i veçantë, por në fakt jam dashuruar me të gjithë Shqipërinë. Plazhet janë fantastike dhe ka vende shumë të bukura dhe një natyrë të mrekullueshme. Kështu që duhet të them se për momentin jam i dashuruar me jugun e Shqipërisë, ndërsa veriun duhet ta vizitoj më mirë.
Thonë që shqiptarët janë mikpritës, sa e ka ndjerë këtë Mateo?
Është shumë e vërtetë, shqiptarët veçanërisht me ne italianët janë fantastikë. Unë jam ndjerë si në shtëpinë time që nga momenti i parë, nuk ndjehesha si në vend të huaj.
Sa ndryshojnë shqiptarët nga italianët?
Nuk konstatova diferenca të mëdha mes shqiptarëve dhe italianëve. Të dy palët janë të përfshirë nga dëshira për të jetuar dhe në të dyja vendet ndjehem si në shtëpinë time.
Ju ka zhgënjyer ndonjëherë Shqipëria?
Zhgënjimet janë njerëzore. Kam jetuar momente të mira dhe të këqija gjatë kohës që isha në “X Factor”, por për momentin kam vetëm kujtime të bukura.
/Gazeta Shqiptare





