Këngëtarja e njohur Ciara ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë me bashkëshortin Russell Wilson. Krenare për vogëlushen e porsalindur, ajo ka zgjedhur të ndajë emrin e vajzës me të gjithë fansat e rrjeteve sociale.

“E dashur princeshë Sienna Wilson, nuk ka rëndësi se sa të mëdha do të jenë dallgët, ne do të jemi gjithmonë qetësia jote në stuhi. Të duam shumë! Mami dhe Babi.”– shkruan ajo në llogarinë e Instagramit.

Sipas burimeve të E!News, thuhet se Ciara dhe vogëlushja gëzojnë shëndet të plotë. Për yllin e “Love Sex Magic”, Sienna është fëmija i dytë pas lindjes së djalit në maj të 2014-ës, nga marrëdhënia me reperin Future.

Fituesja e Grammy-t nuk është kursyer që çdo hap të shtatzënisë së saj ta dokumentojë me foto dhe informacione në rrjete sociale, që nga momenti që ajo dhe bashkëshorti dhanë lajmin, në muajin tetor, pikërisht në ditëlindjen e këngëtares.

Prej një viti të martuar, Ciara është shprehur se jeta si bashkëshortja e Russell-it i jep shumë lumturi, aq më tepër tani që familja e tyre është bërë edhe më e madhe.