Inis Neziri është një tjetër këngëtare shqiptare që po shënon suksese jashtë kufijve shqiptarë. Këngëtarja po merr pjesë në garën “New Wave Festival 2019” që po mbahet në Sochi të Rusisë.

Ajo për dy net radhazi ka marrë pikët maksimale të jurisë, e cila përbëhet nga artistë të njohur rusë. Inis Neziri po vlerësohet për vokalin e fuqishëm si dhe paraqitjen dinjitoze.

Gjatë prezantimit, këngëtarja ka bërë edhe shqiponjën para publikut rus, ku është shfaqur edhe flamuri shqiptar. Kënga quhet “Piedestal” dhe më datë 29 gusht do të garojë në natën finale për çmimin e parë.

Inis pati mbështetjen e një sërë figurash të njohura në vend duke nisur me Aurela Gaçen, që postoi e para për të, Soni Malaj, Albi Nako, Eleni Foureira, Enada dhe Gerd Vaso etj.

Inis Neziri ka qenë pjesëmarrëse në “Gjeniu i Vogël,” ish-pjesëmarrëse në “Këngën Magjike” dhe fituese e festivalit “Golden Stag” në Rumani.