Ditën e premte vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot të vranët dhe reshje shiu, të cilat do të bëhen prezente që prej orëve të mesnatës me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar fillimisht në veri të vendit.
Por si do të jetë moti gjatë fundjavës? Përgjigjen e kësaj na e jep sinoptikania e IGJEUM, Anira Gjoni, e cila në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News” nënvizoi se në ditët në vijim do të ketë dhe rënie të temperaturave.
“Reshjet e shiut do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjithë vendin, kryesisht në qarqet e veriut do të ketë reshje më të dendura.
Mbasditen e sotme do të ketë një rënie të intensitetit të reshjeve. Reshje bore do të ketë në verilindje të vendit në lartësitë mbi 1000 metra.
Do të ketë rënie të temperaturave, ndërsa e shtuna dhe e diela do të jenë pa reshje, por sërish me temperatura të ulëta”, u shpreh ndër të tjera sinoptikania Anira Gjoni.
Temperaturat parashikohen: në zonat malore 7 deri 15°C; në zonat e ulëta 11 deri 19°C; në zonat bregdetare 13 deri 19°C.