Pjesa e parë e ditës mbetet me vranësira dhe reshje të pakta në të gjithë vendin, por shira deri mesatarë në zonat qendrore. Mesdita dhe orët e pasdites sjellin përmirësim të përkohshëm të motit në vend, megjithatë në mbrëmje dhe gjatë natës, reshjet përfshijnë të gjithë Shqipërinë.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit sjellin një rritje të lehtë në të dy ekstremumet termike ditore duke luhatur ekstremumet termike nga -1 në 16°C. Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi Jugperëndimor–Perëndimor duke krijuar në det dallgëzim 3 ballë.

Ndërkohë ditën e nesërme parashikohen shira të dendur, të paktën deri në mesditë. Vranësirat dhe reshjet do të jenë të përqendruara gjatë paradites së të dielës në veri dhe qendër, për t’u zhvendosur më pas drejt jugut.

Orët e vona të mbrëmjes do të sjellin një përmirësim të situatës sinoptike në të gjithë vendin. Pritet rritje e lehtë e temperaturave në të dy ekstremumet termike ditore.