13shtator 2015 – Në një fshat të Malit të Zi, një fermer ka ngritur një fermë me gomerë dhe një litër qumësht të gomaricave e shet me 50 euro. Pronari është Darko Saveljiç, i cili tregon se qumështi i gomaricës ka shumë veti kuruese. Ai thotë se kjo kafshë në Mal të Zi është drejt zhdukjes…

 “Kjo është një nga speciet më të rrezikuara në Mal të Zi. Numri i tyre mund të jetë i përafërt me numrin e arinjve që ka në Mal të Zi. Kjo fermë ka për qëllim të ruajë gomarin si kafshë, si pjesë e trashëgimisë kulturore të Malit të Zi. Gjithashtu me anë të prodhimit të qumështit, ferma të ketë përfitimin e saj, që të mund të vetmbahet dhe të ketë një fitim. Deri këtu isha mjaft i suksesshëm dhe reagimet janë shumë pozitive”, thotë Darko Saveljiç, pronari i fermës.

“Fillimisht njerëzit ju qeshin, pastaj ju konsiderojnë budalla. Por, kur shohin se kjo është diçka serioze, se një litër qumësht kushton rreth 50 euro, atëherë ata fillojnë t’ju kenë zili”, thotë Saveljiç.

Ferma tani ka dhjetë gomarë ose një gomarë dhe nëntë gomarica nga të cilat vetëm një që mjelet, e cila i jep 0.6 litra qumësht në ditë. Kjo është veçanërisht interesante pasi qumështi i gomarit ka shumë veti shëruese.

“Qumshti i gomarit përmban 60 herë më shumë vitaminë C se sa qumështi i lopës. Ka një përqindje shumë të vogël të yndyrës, ka një përmbajtje të lartë ëmbëlsie. Ajo që e dallon nga produktet tjera, është se ky qumësht është jashtëzakonisht i dobishëm për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive. Kështu, ajo ndihmon në trajtimin e bronkitit, kollitjes, si dhe ndihmon me rastet e pneumonisë dhe astmës. Gjithashtu, gjen përdorim tek kremat më luksoze të lëkurës, ku përbërës kryesor është pikërisht qumështi i gomarit. Ngjyra e qumshtit të gomarit është më ndritshme në krahasim me qumështin e lopës. Ajo konsumohet vetëm një decilitër në ditë. Për 24 orë, kjo është pothuajse njëqind për qind e saktë se pas konsumimit të qumështit largohet kollitja”, tha Darko.

Qëllimi i tij është që të blejë të gjithë gomerët në Mal të Zi.

“Synojmë ta zgjërojmë fermën. Do të rrisim kapacitetin e fermës, dhe qëllimi është të blejmë të gjitha gomarët në Mal të Zi, që të bëjmë një fermë të madhe, e cila përmes shitjes së qumështit të vetë mbahet”, thotë Saveljiç. /Tema/