Keni një ide për sipërmarrje por nuk dini si ta ktheni atë në biznes? Dy kurse trajnimi falas mund t’iu vijnë në ndihmë. Bashkia Durrës, përmes projektit SUCCESS, ka hapur thirrjen publike për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e dy kurseve falas, në përfundim të të cilave do të jeni të aftë për të optimizuar menaxhimin e biznesit.

“Tecnopolis, bashkia Valenzano (Itali) dhe bashkia Durrës, Shqipëri po promovojnë dy kurse trajnimi falas në fushën e krijimit të biznesit dhe menaxhimit të projekteve (Project Management) si pjesë e projektit SUCCESS. Ne nuk ofrojmë mbështetje financiare për ngritjen e biznesit, por ajo që ne ofrojmë të rinjve është pikërisht certifikim dhe kualifikim sesi ata të jenë të përgatitur që në të ardhmen të ngrejnë biznesin e tyre. Kurset e trajnimit janë të strukturuara në 4 sesione online në gjuhën angleze dhe shqipe dhe 4 sesione javore fizikisht që do të mbahen në hapësirat e Qendrës Rinore Multifunksionale në Durrës”,- bên me dije përfaqësuesja e Drejtorisë së Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Aplikimet do të jenë të hapura edhe për pak ditë, prandaj duhet të nxitoni.

“Regjistrimet janë të hapura deri më datë 5 prill 2024. Të interesuarit mund të aplikojnë për t’u regjistruar online në https://bit.ly/success-durres“. Shpresojmë që nga data 8 prill ne të vazhdojmë kurset e trajnimit. Vlen të theksoj këtu që ky projekt parashikon trajnimin edhe për stafin e bashkisë në fushën e tranzicionit digjital, sepse gjithnjë e më tepër sot jemi në një treg që është gjithnjë e më i digjitalizuar ndaj dhe ne si bashki synojmë të ofrojmë digjitalizimin e shërbimeve publike.”,- thotë Kërtusha.

Projekti SUCCESS bashkëfinancohet nga rajoni i Pulias, më konkretisht nga Departamenti i Zhvillimit Ekonomik.