Dermato-kozmetologia e njohur, Iva Çaushaj, sugjeron një maskë për një lëkurë të dehidratuar që do të na shërbejnë, sidomos këto ditë të ftohta.
“Maska që kemi propozuar për sot është një maskë që ka 3 ingredientë natyralë dhe shumë të thjeshtë për t’u siguruar në kuzhinat tona. E para është avokado që është një frut, e cila ka një përqindje shumë të lartë të vajit, pra siguron shtresën lipidike në lëkurën tonë. Ka veti rigjeneruese në lëkurën tonë.
Mjalti është ingredient i dytë që propozojmë meqë jemi në stinën e ftohtë dhe lëkurat vuajnë shpesh tharjen dhe dehidratimin. Mjalti duke qenë një lëndë sheqerore, do të sjellë hidratimin në lëkurën tonë.
Kosi është gjithashtu një përbërës shumë i mirë, i cili gjithashtu shërben edhe si qetësues, inflamator. Të 3 këto komponentë së bashku do të futen në një mikser, do të trazohen derisa të përftohet një përzierje e homogjenizuar. Aplikohet në lëkurën e larë dhe të pastruar. Do të mbahet 15-20 minuta dhe më pas do të eliminohet duke e shpëlarë me ujë“, tha ajo në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan.
Çaushaj tha se kjo maskë mund të përsëritet deri 2 herë në javë.





