Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj janë dy artistët që do të performojnë nesër në sheshin “Skënderbej”, në natën e ndërrimit të viteve, në një spektakël të organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se veç dy artistëve të famshëm shqiptarë, në shesh do të ketë edhe një super spektakël fishekzjarresh.
“Me Elvanën dhe Albanin kemi planifikuar një super surpizë për nesër mbrëma: Do e presim të tre Vitin e Ri, vitin kur Tirana do të jetë ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’.
Koncertin do ta fillojmë në orën 22:00, që njerëzit të kenë mundësi të mbarojnë darkën, e më pas të festojmë me një super spektakël me fishekzjarre – ndoshta spektakli më i bukur për fëmijët – me anë të të cilit duam të japim mesazhin se jeta vazhdon”, tha Veliaj.
Këngëtarja Elvana Gjata u shpreh e lumtur që do jetë në shesh natën e Vitit të Ri për të gëzuar për jetën dhe shpresën.
Në fund artisti Alban Skënderaj tha: “Është një mënyrë për të festuar dhe për ta marrë vitin e ri me pak më shumë pozitivitet, me më shumë energji pozitive. Duhet të festojmë, duhet të dalim, duhet të rrimë bashkë, nuk duhet t’i trembemi socializimit. Shpresoj që kjo natë të jetë një natë e cila do t’i sjelli vazhdimësi vitit dhe shpresoj që t’i ngjajë kësaj nate viti 2022”.