Për të gjithë ata që kanë caktuar pushimet për këtë 15-ditësh të parë të shtatorit, lajme të mira vijnë nga moti. Sinoptikanja Lajda Porja thotë se stuhia ‘Daniel’ nuk e ka prekur Shqipërinë, ndërsa pohoi se në fundjavë temperaturat do të rriten.
Madje ajo tha se deri në mes të javës temperaturat do të shkojnë deri në 34 gradë celsius në disa zona, si në Elbasan dhe Berat.
“Stuhia Daniel është në Greqi. Sot deri nesër ka degradim. Shumë pak është prekur pjesa jugore e Maqedonisë. Nuk është se kemi situata të ngjashme në Shqipëri. Nuk ka probleme. Fundjava do të sjellë përmirësim të dukshëm të motit, ka dhe rritje të temperaturave. Rrezatimi do të jetë më i madh. Në disa zona në Elbasan dhe Berat do të shënohen deri në 34 gradë celsius. Do të kemi vlera të larta termike, edhe pse jemi në vjeshtë. Kur dalim në mëngjes, e mendojmë tamam si situatë vjeshte. Pritet që deri në mes të javës të jemi me temperatura të larta. Deri nga mesi i shtatorit do të jemi me mot të qëndrueshëm dhe me temperatura deri në 30 gradë celsius.”, tha ajo.