KOGELO – Malik Obama, vëllai nga babai nga Kenia i presidentit amerikan, Barack Obama, vendosi të ndjekë shembullin e vëllait të tij dhe të futet në politikë në Kenia duke aspiruar një vend guvernatori më 4 mars.
Malik Obama, 54 vjeç, kandidat i pavaruar, theksoi në një intervistë se ishte ''frymëzuar dhe stimuluar nga suksesi i vëllait të tij amerikan'', lindur nga i njëjti baba kenian, Barack Hussein Obama (1936-1982).
"Kur shikoj suksesin që vëllai im ka pasur në Amerikë, mendoj se do ta braktisja popullin tim nëse nuk ndjek gjurmët e tij (…) duke u bërë një drejtues i devotshëm, i ndershëm dhe i kujdesshëm'', deklaroi ai nga shtëpia e familjes Obama në Kogelo, në perëndim të vendit.
Me profesion ekonomist, ai shprehet se do të jetë një kandidat i mirë për të luftuar kundër ciklit pa fund të varfërisë dhe papunësisë që peshon tek njerëzit dhe shpreson të zgjidhet në postin e guvernatorit të qarkut Siaya, që kufizohet me liqenin Victoria dhe të cilit i bashkohet Kogelo, vendlindja e familjes Obama.