DURRËS, 28 korrik 2013 – Specialistët e trashëgimisë Kulturore, njëkohësisht anëtarë të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, Auron Tare dhe Artan Shkreli denoncojnë një akt barbar që ka ndodhur në Kepin e Rodonit, ku është shkulur një basoreliev disa-shekullor që ata e identifikojnë me krye-engjëllin Mikael (Mikel / Mëhill), ose sikurse thotë historiani Ulqini një objekt pagan (Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit). Tare dhe Shkreli ndiejnë keqardhje për dhunimin e kalasë, e cila në fakt u ka rezistuar shekujve me radhë.

“Edhe pse për shekuj me radhë, kjo kala arriti ta mbronte vetminë e saj tragjike, edhe falë një basorelievi të krye-engjëllit Mikael, i cili me shpatë në dorë mbante larg saj hordhitë barbare, kjo kala nuk mundi të rezistojë gjatë ditëve të sotme. Krye-engjëlli Mikael e mbrojti kalanë e Skënderbeut nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth, që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Krye-engjëlli Mikael për çudi arriti të shpëtonte edhe nga komunizmi, sistem i dhunshëm ndaj simboleve fetare. Dhe, sot në korrik të vitit 2013-ës, statujën arritën ta shkulin nga muret e Kalasë së Skënderbeut. E shkulën mu në hundën e shqiptarëve, të cilët për të mbrojtur kulturën e tyre, kanë krijuar edhe institucione”, deklarojnë anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Auron Tare dhe Artan Shkreli.

“Me sa duket, krye-engjëlli nuk e ka ditur se ky shtet i falimentuar, i cili kërkon të përfitojë edhe në minutën e fundit në kurriz të publikut, nuk pyet asfare për trashëgiminë e vet kulturore, duke i braktisur njëherë e mirë të gjitha sitet arkeologjike apo historike. Me firmën e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës po jepen koncesionet e fundit dhe po merren përfitimet e fundit në kurriz të trashëgimisë. “Askush nuk e ka mendjen te krye-engjëlli i Rodonit, i cili për turpin e shqiptarëve, u shkul ditën për diell”, përfundojnë Tare e Shkreli.

Ndërkaq “Dyrrah”-u po riboton dhe një studim të anëtarit të Shoqatës së Historianëve të Mesdheut, shkrimtarit dhe shkencëtarit durrsak Hasan Ulqini, në revistën italiane “Cimbas” nr. 17, tetor 1999 (Leggenda della fondazione della città di Durazzo e di Rodoni (Redonio) illirico). Në këtë shkrim Ulqini hedh tezën se “ky reliev është shumë më i hershëm se vetë kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e paplotësuara, çka tregon se ky reliev është marrë diku, në një nga objektet e shumtë të kultit që gjenden përreth. Relievi paraqet pjesën e sipërme të një burri, që krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka është e mbështjellë me një aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta identifikojnë me një engjëll… Mos kemi të bëjmë me një reliev të Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga sa shihet, trifurku i Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një element tjetër (por që ka lidhje të ngushtë me detin) – rremi i një anieje”.

Info

LEGJENDA E THEMELIMIT TË QYTETIT  TË DURRËSIT DHE REDONI ILIR

Nga Hasan Ulqini

1.

Në dokumentet antike dhe mesjetare, quhej Redon e gjithë zona e bregdetit pranë qytetit të Durrësit, që niste nga Kepi i Palit dhe vazhdonte në grykëderdhjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm, ndërsa me kalimin e shekujve, emërtimi u reduktua në hapësirën e vogël të një kepi (mbarimi i një vargu kodrash të buta 200-300 m të larta). Zbulimet arkeologjike kanë vërtetuar se zona rreth këtij bregdeti është banuar që në prehistori: me shumë interes është qeramika vendase – shekulli VII para e.s. (Fatos Tartari).  Por njëkohësisht, krahas qeramikës vendase është zbuluar qeramikë e importuar protokorintike dhe greko-lindore, po e shekullit VII p.e.s. (Hava Hidri) dhe studiuesit kanë arritur në konkluzion për ekzistencën e një rruge detare, që lidhte territorin e Shqipërisë me botën egjeane qysh në epokën e bronzit (Frano Prendi). Jo pa interes është edhe një mbishkrim, që dikur ekzistonte në qytetin e Durrësit dhe bënte fjalë për ndërtimin e tij prej dy heronjve nga Kreta: Amfionit dhe Zetit, që ishin gjithashtu themelues mitologjikë të Tebës (Anna Commnena).

Por me shumë interes është një legjendë tjetër, për të cilën shkruajnë autorët antikë: Mbreti i barbarëve të këtij vendi (bregdeti i zonës së Durrësit) ndërtoi një qytet dhe e quajti me emrin e vet Epidamn, ndërsa me të bijën e tij Melisa u dashurua perëndia e deteve, Poseidoni dhe nga kjo dashuri lindi Dyrrahu (nipi i Epidamnit), që ndërtoi pranë qytetit një port dhe i vuri emrin e vet – Dyrrah.

Në luftën që bëri Dyrrahu kundër vëllezërve të tij, iu bashkua Herakliu, që i kërkoi një pjesë të tokës së Epidamnit. Në këtë betejë Herakliu vrau padashur Jonin, djalin e Dyrrahut, trupin e të cilit e hodhi në det, me qëllim që Joni të bëhej eponim i këtij deti (“Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”).

Duke analizuar legjendën, arrijmë në disa konkluzione: qytetin e Durrësit e ndërtoi një mbret barbar (jo grek – nënkupto ilir) dhe se Epidamni ishte pjesa më e vjetër e ndërtuar në tokë. Dyrrahu ishte porti i këtij qyteti dhe ishte ndërtuar më vonë. Në luftën kundër vëllezërve të tij, Dyrrahu pati si aleat Herakliun, një nga heronjtë e mitologjisë greke, të cilit, sipas marrëveshjes iu dha një pjesë e tokës, duke nënkuptuar kolonizimin helen të qytetit të Durrësit, i cili në fillimet e veta ishte një qytet ilir.

2.

Në territorin e kepit të Palit, historiania bizantine Ana Komnena, duke folur për betejën detare midis flotës venedikase dhe asaj normane (viti 1081), identifikon një tempull të rëndësishëm të “Përmbikulluarës Hyjelindëse”, tempull që ndoshta ishte ngritur për nder të Melisës, vajzës së Epidamnit.

Një tempull tjetër për nder të Melisës duhet të ketë ekzistuar edhe në kepin e Rodonit. Në të mirë të këtij mendimi është fakti që deri në shekullin e katërmbëdhjetë në dokumente të ndryshme flitet për Kepin Melie, vend në të cilin princi shqiptar Karl Topia kishte kantieret e tij detare si dhe vendqëndrimin e flotës së vet detare. Por edhe në kohën tonë, në kepin e Rodonit ekziston akoma Kepi i Melit (Melie), çka tregon se legjenda për dashurinë e vajzës së Epidamnit me perëndinë e detrave ishte pjesë shpirtërore e banorëve të bregdetit të Durrësit, gjatë antikitetit dhe mesjetës së vonë.

3.

Në kepin e Rodonit (Redonit) ka pasur shumë objekte kulti, kisha të periudhave të ndryshme historike, duke nisur që nga krishterimi i hershëm. Në vitin 1324 përmendet “Sancta Anastasia alli Redoni”, ndërsa pranë saj ndodhej një manastir “Sancta  Maria de Redono”, kurse sot, në anën jugore të kepit ndodhen rrënojat e Shën Pjetrit (Sancto Pietro), kurse në anën veriore gërmadhat e kishës së Shna Ndout (Sancto Antonio). Leon Rey, arkeolog francez, shkruan se në këtë kishë ka vënë re gjurmë afreskesh gjatë gjithë sipërfaqes së mureve dhe pikërisht Shën Mërinë me Krishtin në mes të dymbëdhjetë shenjtorëve, të pikturuar në katër medaljone. Tashmë këto afreske janë prishur, por gjatë kërkimeve të reja, gërmimit dhe pastrimit të mureve nga dherat, kanë dalë në dritë afreske edhe më të lashta, si Shna Ndoi (Sancto Antonio) në kalë, një shqiponjë me dy krerë, fragmente afreskesh me figura gjeometrike si dhe gjurmët e një anieje shumë të dëmtuar. Kisha është e stilit bizantin, por ka edhe karakteristika të stileve romanik dhe gotik, çka tregon se është prishur dhe përshtatur gjatë shekujve në luftën e vazhdueshme midis kishës lindore me atë perëndimore.

4.

Emri Rodon (Redon) është një emër ilir dhe sipas linguistëve ka lidhje me një rrënjë më të lashtë reg-mbret, ndërsa arkeologët e identifikojnë me një perëndi ilire, që shënohet edhe në prerjet monetare të ardianëve, labeatëve, në monedhat e Lezhës (Lisit) dhe të fisit ilir të daorsëve dhe se në këtë perëndi, Rodonin (Redonin), duhet të shohim një figurë të shquar të mitologjisë ilire, të adhuruar në të gjithë territorin e tyre dhe ndoshta dhe më tej.

Në shekullin II të e.s. emri Rodon (Redon) del në një mbishkrim në Leuca të Italisë – si emër  i një anieje, së bashku me emrin e një anieje tjetër, por me emrin karakteristik ilir – Medaur. Në një mbishkrim tjetër, të zbuluar pranë kepit të Rodonit shkruhet: “Red(onus) Neptuno Sac(rum)”. Kjo të bën të mendosh që autorët e antikitetit (që tregojnë legjendën për themelimin e Durrësit (Durazzo) e kanë identifikuar atë (Redonin ilir) me Poseidonin grek. Këtë mendim e përforcon dhe mbishkrimi në të cilin Redoni është identifikuar me Neptunin romak. Në një farë mënyre Poseidoni, Neptuni dhe Redoni – perëndi të detit, mbajnë emra të ndryshëm në popuj të ndryshëm.

Të bën përshtypje një reliev i gdhendur në gur, i vendosur në një nga muret e kalasë së Rodonit, që, sipas dokumenteve venedikase, është rindërtuar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Nga një studim i kujdesshëm do të vëmë re se ky reliev është shumë më i hershëm se vetë kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e paplotësuara, çka tregon se ky reliev është marrë diku, në një nga objektet e shumtë të kultit që gjenden përreth. Relievi paraqet pjesën e sipërme të një burri, që krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka është e mbështjellë me një aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta identifikojnë me një engjëll (Gjerark Karaiskaj).Të bëjnë gjithashtu përshtypje dy detaje që nga të gjithë studiuesit janë lënë në heshtje: Fundi i njërit krah të këtij “engjëlli” është lehtë që të identifikohet me formën e poshtme të një rremi anieje, ndërsa fundi i krahut tjetër ka formën e një çelësi të madh (si në të gjitha gdhendjet e figurave të Hermesëve). Mos kemi të bëjmë me një reliev të Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga sa shihet, trifurku i Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një element tjetër (por që ka lidhje të ngushtë me detin) – rremi i një anieje.

Po aureola? Përse është vënë dhe ç’tregon?

Dihet se tempujt e hershëm të kristianizmit u ngritën dhe u adaptuan mbi tempujt paganë. I njëjti fenomen duhet të ketë ndodhur dhe me tempullin e Rodonit (Redonit). Këtë mendim e përforcojnë gjurmë shumë më të hershme si kolona dhe kapitele të periudhës romake e bizantine, që gjenden rreth kishës së Shna Ndoit (Sant’ Antonio) dhe legjenda që tregon Shën Jeronimi për gjarprin boa (një nga kultet e ilirëve dihet, është gjarpri), që përpinte çdo gjë dhe që u vra nga Shën Hilarioni (viti 365), sipas Artur Evansit tregon për fitoren përfundimtare të krishterimit mbi paganizmin në bregun lindor të Adriatikut, duke përfshirë dhe territoret përreth Durrësit, që në këtë periudhë ishte qendër peshkopate.

Kyçi (elementi tjetër i rëndësishëm i relievit) tregon se Rodoni (Redoni) ilir, krahas perëndisë së detit, ishte edhe perëndi e natyrës dhe udhëtarëve, perëndi mbrojtëse e tregtisë, kaq e zhvilluar në këtë zonë.

REDONI ILIR NË NJË  RELIEV NË KALANË E ULQINIT (Shtojcë)

Shën Astin, kur e dënuan, e lidhën në kryq, e lyen me mjaltë që ta pickonin grerëzat. Kështu thotë kronika e krishterë.

Shën Asti është një nga martirët e parë dhe një nga protektorët e qytetit të Durrësit. Mjalti i bletës (melissa), që të kujton emrin e vajzës së mbretit barbar, themelues i qytetit të Durrësit, bën pjesë në mitologjinë pagane ilire, i treguar nga autorët grekë të antikitetit. Në një farë mënyre, në flijimin e shën Astit dhe në kronikën e krishterë të kohës, duhet të shohim një moment të luftës që bëhej në këtë qytet në mes të paganëve dhe të krishterëve. Dhe në këtë luftë (flijimi i shën Astit) duhet të shikohet si fitore e përkohshme e paganizmit. Ndërsa në një mbishkrim të gjetur në kishën e shën Mëhillit (shën Mikeli) në Arapaj pranë Durrësit përmendet Sanctus Jonius (IONIVS) – edhe ky personazh i legjendës së themelimit të qytetit dhe që padashur ishte vrarë nga Herakliu (Sali Hidri). Në këtë mbishkrim të gdhendur në një kapitel të periudhës romake dhe i ripërdorur si material për ndërtimin e kishës së shën Mikelit (Arapaj), që në hartat mesjetare del dhe me një emërtim tjetër Melie, (ashtu si në Kepin e Palit dhe të Rodonit), duhet të shohim një aspekt tjetër të luftës të paganizmit me kristianizmin në zonën e Durrësit. Kisha e krishterë ka pasur si shenjt të saj edhe një personazh të mitologjisë ilire: Sanctus Jonius (Ionivs).

Në një studim tonin kemi theksuar për një lidhje të natyrshme të Redonit ilir me shën Mikelin. Kemi theksuar se atributet e Redonit në zonën e rrethit të Durrësit gjatë mesjetës së hershme do t’i merrte shën Mikeli.

Edhe në kalanë e Ulqinit shohim të gdhendur një reliev të ngjashëm "me engjëllin me krahë" të kalasë së Kepit të Rodonit, çka e forcon më tej mendimin e arkeologut Hasan Ceka që Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit (Kepi i Lagjit në jug dhe ai i Redonit në veri).

Në një botim të shekullit 19 (vetëm 50 kopje) kemi gjetur një reliev të një engjëlli me krahë (edhe ky i mesjetës së hershme), i shkruar në volgar lingua (në mbishkrim gjejmë të ngatërruar greqishten me latinishten, çka tregon se shkruesit e mbishkrimit s'janë as italianë, as grekë – ndoshta detarë nga bregu i Durrësit), ku përmendet, krahas disa personazheve, dhe emri i Redonit.

Edhe në kështjellën e Turrës (të hedhur në erë dhe të shkatërruar nga rusët në vitet gjashtëdhjetë), sipas një informate të arkeologut Vangjel Toçi, ka patur një reliev të ngjashëm me atë të Kepit të Rodonit. Aty pranë ndodhet fshati Rrakull (në hartat mesjetare Irakle, që të kujton po Herakliun, një nga personazhet e huaja në legjendën për themelimin e qytetit të Durrësit.

Ç'është më e rëndësishmja, kalimet nga Redoni ilir tek shën Mikeli, duhet t'i shohim si transformime shpirtërore të një populli autokton në rrjedhë të shekujve që nga antikiteti (pagan), në kohën e mesme (të krishterë).

/Red. th. m. për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/