7 dhjetor 2014– Sipas gjermanëve, këpuca me të cilën Mario Gotze shënoi golin që vendosi fatin e botërorit Brazil 2014 në finalen me Argjentinën është këpuca më e famshme e planetit. Nëse ky përkufizim ju duket objektiv atëherë tani këpuca e Gotzes është dhe më e shtrenjta në botë dhe ky është një fakt. Pak javë më parë futbollisti deklaroi se do ta nxirrte në ankand këpucën e prekjes së triumfit botëror për panzerat e Low, ankandi u krye dhe me sukses të madh madje, pasi një person që preferoi të mbetej anonim, pagoi plot 2 milionë euro për të bërë të tijën që tani është një suvenir unik.
Të gjitha paratë do të shkojnë për fondacionin bamirës, “Një zemër për fëmijët”, pasi kjo ishte dhe arsyeja që Gotze nxorri në ankand këpucën dhe 22 vjecari u shpreh shumë i kënaqur për shumën që arriti të siguronte për një vepër bamirësie, “2 milionë euro është një shumë e madhe, dhe gjëja më e mirë është se ajo shkon për një çështje të mirë, dhe jo thjesht për një këpucë”, deklaroi Gotze i cili më pas shtoi “ Nuk e kam pastruar kurrë këpucën, ajo është ende në të njëjtën gjendje sic ishte në Rio, kur u largova nga stadiumi me të. Në të është ende bari i fushës së Maracana, nuk e kam veshur kurrë pas finales dhe e ruajta në shtëpi”.
Ylli i Bajernit vendosi që këpuca të shërbente për diçka vërtet të mirë në vend që ta mbante për gjithë kohën në shtëpi. Një gjest fantastik ky nga ana e 22 vjeçarit.





