Burimet njerëzore nuk janë shqetësim madhor vetëm për sektorin privat, por edhe për administratën shtetërore, për të cilën gjithmonë kishte një mbi-kërkesë për punë deri para pandemisë. Plani i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në drejtim të kontrolleve dhe inspektimeve vitin e kaluar nuk u përmbush për shkak se gati një katërta e organikës nuk ishte e plotësuar me punonjës, referoi Kontrolli i Lartë Shtetit në raportin për buxhetin faktik të vitit 2023 përgatitur për Kuvendin e Shqipërisë.

Në dhjetor të vitit 2023 administrata tatimore ka pasur 338 vende pune vakante nga 1450 gjithsej ose 23 % e organikës së paplotësuar, vëren KLSH. Gjithashtu, konstatohet se DPT-ja ka 71 procese gjyqësore të hapura për largimet nga puna. Administrata tatimore vitin e kaluar ishte në ristrukturim organizativ sipas një VKM-je që u miratua në maj të vitit 2023.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një stok ë lartë të kontrolleve të papërfunduara. Nga viti 2017, ku deri 2023 janë gjithsej 805 kontrolle të pezulluara, të pafilluara ose që vijojnë në proces: 109 kontrolle të pafilluara, 47 kontrolle të pezulluara, 432 kontrolle në fazë projekt raporti, 201 kontrolle dërguar projekt raporti, 14 kontrolle pritet observacion nga subjekti dhe 2 kontrolle në fazë raporti përfundimtar.

Mungesa e personelit ka ndikuar në eficiencën e institucionit. Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në fund të vitit 2023 rezulton në vlerën rreth 155 miliardë lekë (1,5 miliardë euro), nga i cili detyrimi është 61%, gjobë 34% dhe interesat 5%.

Ky detyrim ju përket 182,490 subjekteve, me një rritje vjetore prej rreth 8,3 miliardë lekë dhe me një ulje prej 1,467 subjekte debitorë. Detyrimet më të mëdha i përkasin TVSH-së dhe në vijim Tatim fitimi, sigurimet etj. 55 % e detyrimeve të prapambetura tatimore janë të periudhës mbi 5 vjeçare dhe vetëm 10 % është deri në 1 vit.

KLSH vë në dukje se ka një vështirësi të konsiderueshme në vjeljen e këtij borxhi, pasi 74 % e vlerës ju përket subjekteve pasive dhe vetëm 26 % atyre aktive. Sipas KLSH-së, situata e mësipërme është si pasojë edhe se DPT ka ushtruar masa shtrënguese të pakta duke pasur parasysh numrin e subjekteve me detyrime të prapambetura dhe se këto masa shtrënguese janë të përsëritura për një numër të konsiderueshëm rastesh.

Me mungesë personeli është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Nga auditimi i menaxhimit dhe administrimit të burimeve njerëzore është konstatuar se administrata doganore ka pasur 118 pozicione vakante pune gjatë vitit 2023 nga 1074 në strukturë gjithsej ose 11 %, me rritje krahasuar me 2022, si dhe 278 transferime të përkohshme punonjësish, duke cenuar ndjeshëm performancën e institucionale të administratës fiskale doganore./Monitor