Teuta nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në ndeshjen që luajti në shtëpi me Skënderbeun. Durrsakëve, ndonëse ishin në avantazh të dy golave, trepikëshi u ka ikur nga duart në fund të ndeshjes, ku u ndëshkuan nga goli i një ish-i, Nazmi Gripshi. Teuta e ka kontestuar këtë gol, pasi aksioni i miqve nisi nga një faull ndaj Bubakar Faje Traore.

Senegalezi, nuk e fshehu mërzinë e atij goli në limitet e ndeshjes dhe zhgënjimin e ka me gjyqtarin që nuk e konsideroi faull ndërhyrjen ndaj tij. Por, Traoren e ka gëzuar goli që shënoi ndaj Skënderbeut, të cilin ia dedikon skuadrës. Për 21-vjeçarin, Teuta duhet të kthehet te fitorja në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit, që luhet në transfertë dhe pa praninë e tifozëve.

Fitorja ju iku nga duart në fund të ndeshjes. A jeni i mërzitur për barazimin që morët ndaj Skënderbeut?

Sigurisht që jam i mërzitur, pasi gjyqtari duhet të akordonte faull për Teutën fillimisht, pasi lojtari i Skënderbeut më ndërhyri keq në minutën e fundit. Jam shumë i zhgënjyer, pasi na mohoi fitoren.

Si ka shkuar ambientimi juaj te Teuta?

Jam ambientuar dhe më duket sikur kam kohë që luaj këtu. Kjo pa dyshim për meritën e trajnerit Shkëmbi. Ai është një nga teknikët më të mirë që kam njohur në karrierën time. Di të jetë autoritar, por edhe të bëjë shaka me lojtarët. Mbi të gjitha është shumë kërkues.

Ku ndiheni më mirë, si mesfushor apo sulmues krahu?

Unë jam në dispozicion të trajnerit. Jam i gatshëm në çdo moment dhe luaj ku trajneri ka nevojë për mua. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bëj më të mirën për këtë skuadër.

Ndaj Partizanit, ju favorizon fakti që do të luani pa tifozë?

E rëndësishme është që Teuta të rikthehet te fitorja. Ndoshta mund të ndikojë deri diku mungesa e tifozëve, por për në do të jetë njësoj. Keni një dedikim për golin që i shënuat Skënderbeut? Jam shumë i lumtur dhe golin ia dedikoj skuadrës dhe të gjithë tifozëve që ishin në stadium mbrëmjen e së shtunës.