NGA THANAS MUSTAQI

Personalisht, autori i këtyre radhëve që i njeh pothuajse të gjithë themeluesit dhe drejtuesit e degës së PD-së Durrës, habitet me nivelin e ish-ministrit të Drejtësisë, të katapultuar nga Tirana, për deputet në qarkun e Durrësit, Eduard Halimi. Ky i fundit nuk e ka kuptuar psikologjinë e banorëve të Shqipërisë së Mesme, që nuk shquhen për zhurmë e bujë. Veçanërisht, nuk ka njohur as durrsakët denbabaden as të mëvonshmit që kanë marrë shumë nga autoktonët për sa i përket maturisë dhe realizmit.

Të bësh kauzë djegien e makinës familjare të një aktivisti të PD-së është një miopi politikani që nuk mësoi asgjë nga karriera kur ishte Ministër Drejtësie dhe nga vitet e shkollimit dhe profesionit të juristit. Nuk mund të vesh gishtin mbi autorët disa orë pas ngjarjes, duke marrë përsipër atributet e policit gjyqësor, prokurorit dhe gjykatësit. Prandaj më vjen keq për Halimin.

Së dyti, t’i biesh fyellit në një vrimë:

“Ky akt kriminal i tipit mafioz, vjen pas gjetjeve që bëri Auditi i KQZ , z.Teliti disa muaj më parë me importimin e të paktën tre mijë votuesve nga Vangjush Dako dhe 600 votuesve nga Elvis Rroshi, të cilët nëpërmjet skemës së importimit të zgjedhjeve, një skemë kriminale kjo e provuar plotësisht nga Prokuroria arritën që të manipulonin rezultatin zgjedhor”.

Nuk shkon: Dako fitoi me mbi 13 mijë vota, Rroshi me mbi 7 mijë vota. E çfarë u ka prishur punë Teliti?!

Ndoshta Halimi shpreson që “OSBE të shënojë në raportin përfundimtar këtë akt mafioz të ushtruar nga bandat dhe nga oligarkët që janë pas këtyre bandave ndaj administratës zgjedhore edhe mbas një muaji pas përfundimit të këtij rezultati”.

Halimi mund të jetë bërë “tym” nga rezultati në Durrës ku është deputet dhe në Kavajë ku ishte i deleguar.

Info (jo për lexuesit, por për “Halimët”)

Durrësi plus Kavaja, më shumë se të gjitha krahinat e tjera të vendit, i ka pasur sytë nga Perëndimi qysh në kohën e mbretërisë. Po kështu nëpërmjet marinarëve, punonjësve të portit, shoferëve të eksportit, ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme, bazave të furnizimit materialo-teknik të dikastereve, turistëve, stacioneve televizive dhe radiofonike kryesisht italiane etj., në kohën e komunizmit.

Prandaj është e vetëkuptueshme që Durrësi, jo në mënyrë të bujshme si Kavaja, u është kundërvënë në vitet 1990-91 bllokmenëve si për “80-përqindshin” e famshëm për mungesë lëndësh të para importi, ashtu dhe për politikën e udhëheqjes puniste. Durrësi kishte një klasë të tërë specialistësh të kualifikuar me arsim të lartë dhe të mesëm mbi mesataren e vendit, që natyrisht do të përqafonte prirjen demokratike që po përfshinte krejt ish-Lindjen komuniste.

Dhe për 15 vjet rresht Durrësi ishte bastion i forcave të djathta. Thyerja filloi lehtë pas vitit 2001. PD-ja u ringrit në vitin 2005 kundër Nanos dhe rifilloi dishezën në vitet 2007, 2009, 2011, 2013, 2015. Arsyet do të kërkonin analizë të thellë sociologjike-politologjike. Veçse një gjë del në pah: Durrësi nuk matet me kutin e zakonshëm të politikanëve me horizont të ngushtë. Edhe nga pikëpamja pamore-gjeografike sky-line dhe sea-line i Durrësit janë me kënd të gjerë.

Shënim: Mendimet e autorit nuk përfaqësojnë vijën editoriale të portalit “durreslajm.com”