“Kur bëhet fjalë për skupturën e parkut, mua më duket se nuk ekziston. Dhe kaq sa janë unë nuk i quaj vepra, kemi shumë pak.”
Deklarata e bërë nga skulptori Idriz Balani është e trishtë për një qytet historik si Durrësi, i cili në lashtësi ka qenë i mbushur me skuptura të tilla, që kanë mbërritur deri në ditët tona dhe ruhen në Muzeun Arkeologjik.
Ndërkohë, realiteti i sotëm tregon krejt të kundërtën. Koha u tregua e mëshirshme me skulpturat e antikitetit, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për njerëzit dhe drejtuesit e pushtetit vendor në Durrës.
Nga një vëzhgim i thjeshtë që bëmë me kamerën tonë në shëtitoren “Taulantia”, hapësira publike me numrin më të madh të veprave të artit, thuajse asnjëra prej tyre nuk i ka shpëtuar dorës së dëmtuesve.
Gladiatorëve të Janaq Paços u mungojnë shpatat, të cilat derdhen përdhe. Peshkatarit gjysma e kallamit i është dëmtuar.
Topat e Mujo Ulqinakut apo guacka në shëtitore janë plot me mbeturina.
Monumenti i Rezistencës është i mbushur me zhgarravina nga të gjitha anët e tij, ndërsa monumentit “Sono persone/Janë Njerëz”, i inaguruar gushtin e kaluar në përkujtim të 30-vjetorit të eksodit të 25 mijë shqiptarëve me anijen “Vlora” i mungojnë shumë nga shkronjat, megjithëse një tjetër pjesë e dëmtuar e tij është riparuar së fundmi.
Trishtim për një qytet që keqtrajton edhe ato pak vepra arti që janë.
Për Balanin, ndërhyrja për riparimin e tyre është një domosdoshmëri për një qytet që vizitohet nga mijëra turistë çdo vit.
Përveç dorës së keqbërësve, indiferenca e pushtetit vendor e përkeqëson edhe më shumë situatën.
Skulptori Idriz Balani kujton se inventarit të paktë të skupturave të parkut i mungojnë tashmë disa nga veprat e derdhura në bronz vite më parë.
“DurrësLajm” pati përcjellë dy vite më parë gjendjen mjerane në të cilën ishin katandisur skulpturat e këngëtarëve të rrokut si Tina Turner, John Lennon etj, por dy vite më pas ato nuk janë nxjerrë nga gjendja e harresës.
Në shumë hapësira publike në qytet thuajse mungojnë krejtësisht skulpturat e parkut. “Thatësira” vizuale në këtë drejtim duket se do të vijojë edhe për vite të tjera në Durrës.
M.B.