Mes kërcënimeve nga SHBA, Franca dëshiron që NATO të zhvillojë një stërvitje të përbashkët në Groenlandë. Pallati Elysee njoftoi sot se Parisi do të ishte i gatshëm të kontribuonte në këtë stërvitje.

Ky veprim nga Parisi vjen ndërsa presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka përsëritur dëshirën që të marrë territorin autonom danez dhe madje ka njoftuar tarifa doganore prej 10% ndaj tetë vendeve evropiane, përfshirë Francën. Ka kërcënuar se këto tarifa mund të rriten nëse nuk arrihet marrëveshja për ishullin.

Vendet evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar tashmë personel ushtarak në këtë territor për një mision zbulimi në kuadër të ushtrimeve që Danimarka po organizon me aleatët e NATO-s, por jashtë kornizës së Aleancës Atlantike dhe për këtë arsye pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan përsërit se Groenlanda, e cila është gjithashtu e pasur me minerale, është jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s kundër Rusisë dhe Kinës. Sipas Parisit, një stërvitje e NATO-s do t’i lejonte Uashingtonit të merrte pjesë dhe do të nënvizonte faktin se evropianët e marrin seriozisht sigurinë në Arktik.