SEUL, 11 prill 2013– Forcat amerikane dhe ato të Koresë së Jugut janë në gjendje të lartë gatishmërie, për shkak të sinjaleve se Koreja e Veriut po përgatitet për prova të reja me raketa.

Ministri i Jashtëm Yun Byung-se, në komentet para një komisioni të parlamentit në Seul, u shpreh se Koreja e Veriut është gati të hedhë një raketë balistike me rreze të mesme veprimi të tipit Musudan.

Ministri tha se të dhënat e shërbimeve të zbulimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se mundësia e hedhjes së një rakete nga Koreja e Veriut është shumë e lartë.

Sipas tij, raketa Musudan ka një rreze veprimi prej 3500 kilometrash.

Agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap thotë se janë vërejtur edhe pajisje të tjera që mendohet se shërbejnë për hedhjen e raketave të tipeve të tjera në provincën Hamgyong i Jugut në bregun lindor.

Shtetet e Bashkuara kanë një plan me Korenë e Jugut për t'iu përgjigjur provokacioneve.

Me gjithë shkallëzimin e tensioneve në gadishull, në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ku jetojnë mbi 20 milionë persona ose rreth gjysma e popullsisë koreano-jugore, jeta vazhdon me ritme normale dhe pa nota paniku.