Një 29-vjeçar nga fshati Fravesh i Tiranës është shpallur në kërkim prej një jave, pasi dyshohet se ka përndjekur prej tri vitesh një vajzë 20 vjeçe, banuese në fshatin Kërrabë.

“Panorama” shkruan se ka nisur procedimi penal në ngarkim të shtetasit Dritan H., i akuzuar për përndjekje dhe kanosje.

Ngjarja

Para disa ditësh, e dëmtuara, shtetasja me iniciale N.T., është paraqitur në Komisariatin nr.1 bashkë me të ëmën dhe gjatë deklarimeve të saj, 20-vjeçarja është shprehur se autori e përndiqte prej gati tri vitesh, por ajo nuk i kishte treguar askujt në familje për ngjarjen, pasi i vinte turp nga i ati dhe vëllezërit.

Por ajo që e shtyu të renë që më në fund t’i drejtohej policisë, ishte kërcënimi i fundit që i bëri 29-vjeçari. Ai i kishte thënë se do ta rrëmbente nëse ajo nuk pranonte të lidhej më të. Më pas, me anë të një mesazhi në telefon, i kishte thënë se do t’i vriste ndonjërin prej familjarëve.

Dritan H., kishte nisur ta ngacmonte para 3 vitesh, kur ajo kishte shkuar për të qëndruar disa ditë te daja i saj në fshatin Fravesh, ku banon edhe autori. Ai e kishte shtëpinë shumë pranë dajës së vajzës dhe aty e kishte parë për herë të parë, dhe që nga ai moment i ishte vënë pas. Edhe pasi ishte kthyer te prindërit, në shtëpinë që ndodhet në fshatin Kërrabë, i dyshuari kishte shkuar pas saj. Vajza ka treguar se ai e ndiqte kur ajo shkonte dhe kthehej nga shkolla, duke i kërkuar që të lidhej me të.